3829 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministri Konjufca priti ambasadorët e vendeve anëtare të SEECP

Prishtinë, 18 shkurt 2020 – Ambasadorët e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), janë pritur në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. 


Ministri i Jashtëm Konjufca i njoftoi ambasadorët për mbarëvajtjen e punës së deritashme dhe aktivitetet që po përgatiten nga ekipi punues deri në qershor, kur Kosova dorëzon kryesimin e kësaj organizate te kryesuesi i rradhës Turqia. 

Si kryesuese e agjendës rajonale, Kosova ka perzgjedhur tri prioritetet kryesore të Kryesimit: konektivitetin, rininë dhe turizmin. Përmbyllja e aktiviteteve të Kryesimit të Kosovës me SEECP do të bëhet në Prishtinë, me Samitin rajonal të krerëve të shteteve dhe qeverive të rajonit.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) ka startuar në vitin 1996 në Sofje me synim të fuqizimit të bashkëpunimit dhe mirëbesimit rajonal, marrëdhënieve të mira fqinjësore, stabilitetit dhe sigurisë, marrëdhënieve të shtuara ekonomike, angazhimit në dimensionin human, drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe luftës kundër terrorizmit. 

Dokumenti kryesor i SEECP-së është “Karta për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore, Stabilitet, Siguri dhe Bashkëpunim në Evropën Juglindore” e miratuar në Samitin e Bukureshtit të vitit 2000.

Foto Galeria