487 - Politika | Ministria e Puneve te Jashtme

Bashkëpunimi Rajonal

Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal paraqesin një aspekt qenësor të procesit të rrugëtimit të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht për shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në BE.

Kultivimi i marrëdhënieve më të mira në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore (EJL) në përgjithësi nënkupton intensifikimin e tregtisë, inkurajimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe ideve, dhe bashkëpunimin drejtë arritjes së përgjithshme të synimeve të përbashkëta.

Bashkëpunimi rajonal në fushat e interesit të ndërsjellë gjendet në përmbajtjet e shumë programeve qeveritare, përfshirë prioritetet e politikës së jashtme të MPJ-së dhe portofolin e diplomacisë publike.

Kosova është anëtare e disa iniciativave rajonale të rëndësishme, në të cilat kontribuon në mënyrë aktive në kuadër të strukturave të tyre përkatëse me qëllim që përfitimet e bashkëpunimit rajonal të reflektojnë në jetën e qytetarëve të saj.