Promovohet libri “Pushteti” i Blendi Fevziut

Prishtinë, 21 dhjetor 2016 – Akademia Diplomatike në margjina të Konferencës së Katërt të Ambasadorëve ka organizuar promovimin e librit “Pushteti, magjia, makthet dhe fundi i tij”, i autorit Blendi Fevziu.

Në këtë libër, Fevziu gërsheton dëshirën e njeriut për pushtet dhe mënyrat se në çka mund të përfundojë kjo dëshirë në fund. Libri “Pushteti” është një rrëfim mbi pushtetin, i cili të intrigon nga faqja e parë deri në atë të fundit. Gazetari i njohur shqiptar Blendi Fevziu, është autor i disa librave. 

 

Për librin, përveç autorit folën edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Z. Enver Hoxhaj si dhe Administratori i Universitetit Europian të Tiranës, z. Henri Çili. 

 

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj u shpreh i nderuar që sot me prezantimin e këtij libri po fillohej një traditë e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme.“Vazhdimisht do të kemi një forum ku do të diskutojmë për librat dhe besoj që kjo traditë nis me një interval të madh si ky sot me një libër të Blendi Fevziut. Sot po bëjmë një promovim të një iniciative të re që Ministria e Punëve të Jashtme do ta bëjë çdo herë”. Hoxha foli disa fjalë për librin, ku tha se “është një libër që nëse do të përkthehej, do të mund të lexohet në çdo gjuhë, çdo kulturë, në çdo kohë, çdo gjeografi, që janë të rrallë autorë që kanë një karakter shumë universal”.

 

Administratori i Universitetit Europian i Tiranës, Henri Çilit, tha që është kënaqësi të flasësh për autorin Blendi Fevziu, duke potencuar që ai është autorin më i shitur shqiptar. “Blendi Fevziu, duke qenë gazetar dhe afër mjediseve publike, ka fituar mijëra nuanca, mijëra dilema të fuqishme dhe, mbi të gjitha, njeh kompromiset dhe gëlltitjet që liderët tanë kanë bërë për pushtet”, ka thënë Henri.

 

Krejt për fund fjalën e mori edhe autori, i cili rrëfeu më shumë përmbajtjen e librit dhe tregoi fillet e tij. “Gjithçka ka nisur kur unë isha student, sepse në atë kohë një ndër temat më në modë në Shqipërinë e asaj kohe, ishte vetëvrasja ose eliminimi i Mehmet Shehut. Pikërisht kjo enigmë e tij e cila pas vitit 1990 filloi të flitej hapur, ishte fillimi i shkrimit tim. Ky libër është midis letërsisë dhe esesë. Ka detaje të realitetit por nuk është realitet, është fiksion”, ka thënë ndër të tjera Blendi Fevziu.

 

Promovimi është moderuar nga gazetari kosovar Baton Haxhiu në mesin e shumë dashamirëve të pranishëm të librit, si ministra, ambasadorë, deputetë, gazetarë e publicistë, të cilët patën hapësirë diskutimi dhe rast për ti parashtruar pyetje autorit.

 

Incizimin e promovimit mund ta ndiqni në këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=LPv8ZWKqSD8 

 

Abonimi
Kalendari
HMMEPShD
     1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31