Përfundoi punimet me sukses Shkolla Pranverore për Diplomatë të Rinj

Prizren, 13 maj 2016 – Ka përfunduar punimet edicioni i tretë i Shkollës Pranverore për Diplomatë të Rinj, me temë “Sfidat e diplomacisë moderne”, aktivitet ky i organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme në bashkëpunim me fondacionin gjerman “Friedrich Ebert”. Prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës janë prezantuar nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Petrit Selimi, i cili ka folur edhe për rezultatet e deritashme si dhe orientimet strategjike për të ardhmen. Për integrimet euro-atlantike dhe dialogun Kosovë-Serbi ka folur ministrja për dialogun Edita Tahiri.

Për “soft power”, çështjet e të drejtave të njeriut dhe diplomacinë e shekullit XXI ka shpjeguar profesori nga Universiteti i Iowas, ambasadori Ronald K. McMullan. Për integrimet europiane ka ligjëruar profesori nga Akademia Evropiane në Berlin, Eckart Stratenschulte, ndërkaq për çështje të sigurisë dhe ekonomisë së rajonit të EJL-së kanë ligjëruar profesorët nga Qendra George C. Marshall, Dr. Mathew Rhodes si dhe Dr. Valbona Zeneli. Për çështjet e energjisë ka ligjëruar eksperti nga Bullgaria, Slavtcho Neykov Ivanov. Ndërkaq për çështje të sigurisë dhe terrorizmit ka shpjeguar profesori nga Universiteti i Heidelbergut, Prof. Dr. Sebastian Harnisch. 


Përvojat personale si diplomatë janë ndarë nga ambasadori gjerman në pension Hans Jochen-Schmidt, ish-ambasadori kosovar, tani gjykatës i Gjykatës Kushtetuese Bekim Sejdiu, si dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zbogar. Ky i fundit ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë – BE, dialogun Kosovë-Serbi si dhe misionin e zbatimit të ligjit EULEX.  


Veçanti e këtij edicioni është edhe tryeza e rrumbullakët e fokusuar në temën e “Trajnimit diplomatik: prioritetet dhe sfidat” me panelistë drejtorët e akademive diplomatike të rajonit. Përkatësisht, drejtoresha e Institutit Diplomatik të Bullgarisë, Tanya Mihaylova, drejtori i Akademisë Diplomatike të Kroacisë, ambasadori Mladen Andrlic, drejtoresha e Akademisë Diplomatike të Malit të Zi, Satka Hajdarpasic si dhe drejtori i Akademisë së Diplomacisë së Turqisë,  Mesut Ozcan. Kjo tryezë është moderuar nga drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike të Kosovës, ambasadori Skender Durmishi, i cili ka bërë edhe prezantimin e punës së Akademisë Diplomatike që nga themelimi i saj.  


Gjatë kohëzgjatjes së seminarit pjesëmarrësit kanë shprehur pikëpamjet e tyre për sfidat e diplomacisë moderne në një diskutim të hapur. Ndërkohë janë organizuar edhe prezantime për tema të ndryshme si dhe janë zhvilluar aktivitete kulturore në qytetin e Prizrenit, duke përfshirë vizitën në monumentet fetare të tri religjioneve, monumentet e karakterit historik, qytetin e vjetër të Prizrenit, si dhe kalanë. Në këtë edicion, që ka filluar më 9 maj, përveç diplomatëve kosovarë dhe nga rajoni si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Hungaria, Kroacia, Bullgaria, Turqia, kanë marrë pjesë edhe diplomatë nga Malta, Polonia, Kostarika, dhe Tajlanda.  

Abonimi
Kalendari
HMMEPShD
      1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30