Ka filluar Shkolla e 3-të Pranverore për Diplomatë të Rinj

Prizren, 9 maj 2016 – Nën organizimin e Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me Fondacionin gjerman Friedrich Ebert, ka filluar edicioni i tretë i Shkollës Pranverore për Diplomatë të Rinj, rreth temës kyçe "Sfidat e diplomacisë moderne".

Duke iu uruar mirëseardhje diplomatëve nga shtete të ndryshme nga rajoni si dhe nga disa vende të tjera si Kostarika, Malta, Polonia, Tajlanda, Ministri në detyrë Z. Petrit Selimi, ka shpjeguar prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, rezultatet e deritashme dhe orientimet strategjike për të ardhmen. Ai ka kujtuar hapat nëpër të cilët ka kaluar Kosova deri më tash.

 

Derisa ka theksuar se prioritet i MPJ-së vazhdon të mbetet anëtarësimi i Kosovës në OKB, BE, NATO, si dhe në organizata tjera ndërkombëtare, Ministri Selmi ka shtuar se “Kosova është në rrugëtim për të zhvilluar sa më shumë diplomacinë moderne, si dhe dinamika e ballafaqimit me të është një sfidë me të cilën përballen shtetet e reja”. 

 

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike të Kosovës Ambasadori Skender Durmishi është shprehur se “diplomacia është një profesion i vjetër por në të njëjtën kohë është edhe profesion i ri sepse për të qenë efikase duhet vazhdimisht të reformohet dhe të transformohet duke artikuluar kërkesat e kohës”.

 

Për rëndësinë e diplomacisë moderne ka folur edhe Drejtori i Fondacionit gjerman Fridrih Ebert Stiftung Dr. Wulf Lapins, që për të tretën herë me radhë ndihmon në organizimin e kësaj shkolle.

 

Në emër të Zyrës së BE-së në Prishtinë, pjesëmarrësve të seminarit iu është drejtuar edhe Damjan Sedar, Këshilltar politik. Ai ka përmendur të arriturat e Kosovës sa i përket proceseve integruese duke theksuar këtu nënshkrimin e MSA-së dhe liberalizimin e vizave.

 

Shkolla pranverore do të vazhdojë punimet deri të premten. Në këtë kuadër do të mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët me drejtorët e akademive diplomatike nga rajoni. Sipas programit gjatë seminarit për diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare do të ligjërojnë profesorë eminentë e ambasadorë karriere nga Berlini, Ajova, Qendra Marshall, etj.   

Abonimi
Kalendari
HMMEPShD
     1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30