Prioritetet e Politikës së Jashtme
Prioritetet e Politikës së Jashtme të Republikës së Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës angazhohet për ruajtjen dhe sigurimin e pavarësisë së vendit, mbrojtjen e interesave shtetërore në arenën ndërkombëtare, promovimin e interesave politike dhe ekonomike të Kosovës, mbrojtjen dhe përfaqësimin e të drejtave dhe interesave të shtetasve të saj. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, zotohet se do të angazhohet maksimalisht për rritjen e subjektivitetit të shtetit të ri, njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shumica e shteteve të bashkësisë ndërkombëtare, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këto shtete, kultivimin e marrëdhënieve të ngushta dhe speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërtimin e partneritetit strategjik me Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe avancimin e shpejtë në proceset integruese në BE, duke filluar nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, me qëllim të realizmit sa më të suksesshëm të misionit të saj janë:
- Njohja e pavarësisë së Kosovës nga shumica absolute e shteteve të bashkësisë ndërkombëtare dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me këto vende.
- Kultivimi i marrëdhënieve të ngushta dhe speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbetet prioritet i veçantë në politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhënie këto, të cilat vazhdojnë të kenë rol strategjik në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.
- Ndërtimi i partneritetit strategjik me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me këto organizata, në rrugën drejt integrimeve Euro-Atlantike.
- Përfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, gjë që do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në vendet e rajonit dhe BE-së.
- Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare me interes të veçantë për subjektivitetin dhe prestigjin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
- Zhvillimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal me interes të përbashkët, përmes marrëveshjeve dypalëshe dhe multilaterale.
- Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të shtetasve të Republikës së Kosovës.
- Rritja e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës përmes promovimit të interesave ekonomike, tërheqjes së investimeve të huaja dhe anëtarësimit në organizatat ekonomike ndërkombëtare.
- Funksionalizimi dhe rritja e kapaciteteve të shërbimit të jashtëm dhe konsullor të Republikës së Kosovës.
- Promovimi i një imazhi real dhe modern të Republikës së Kosovës.




Stay Connected with MFA