Republika e Beninit shteti i 80 që njeh pavarësinë e Kosovës
Nota verbale e njohjes së Republikës së Kosovës nga ky shtet afrikano-perëndimor, është dërguar në Kosovë nga Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës, Behgjet Pacolli, i cili po zhvillon një turne lobues për njohjen e Kosovës, në shumë vende të Afrikës.
Nota verbale është prezantuar para medieve në Prishtinë, nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi.
Me këtë rast, Zëvendësministri Gashi tha se njohja nga Republika e Beninit, e treta e ardhur këtë javë nga Afrika, është fryt i aktivitetit lobues të Zëvendëskryeministrit të Parë të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli në kontinentin e Afrikës.
Mund të themi se aktiviteti lobues i z. Pacolli në Afrikë, që është në frymën dhe në funksion të realizimit të strategjisë për njohje e cila është hartuar bashkërisht nga Ministria e Punëve të Jashtme, z. Pacolli dhe të gjithë akterët e tjerë të politikës së jashtme të Kosovës, shumë shpejt do të rezultojë edhe me njohje të tjera nga Afrika, tha Gashi.
Zëvendësministri i jashtëm ka deklaruar po ashtu se bartësit e politikës së jashtme në Republikën e Kosovës janë në një proces të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve.
Besojmë se deri në fund të këtij viti ky proces do të rezultojë me rritjen e ndjeshme të numrit të shteteve që kanë njohur Kosovën, duke arritur që së paku gjysma e shteteve anëtare të OKB-së ta kenë njohur Republikën e Kosovës, ka thënë Zëvendësministri Ibrahim Gashi.
Republika e Beninit ndodhet në Afrikën Perëndimore dhe kufizohet me Togon, Nigerinë, Burkina Fason dhe Republikën e Nigerit. Kryeqyteti i Beninit është Porto-Novo, kurse Qeveria është e vendosur në qytetin më të madh të shtetit, Cotonou. Benini ka një sipërfaqe prej rreth 110,000 kilometra katrorë me një popullsi prej rreth 9 milionë banorësh.




Stay Connected with MFA