Na ndiqni në:

Hoxhaj merr përkrahjen e OBI-t për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën

Xhibuti, 16 nëntor 2012 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), ka zhvilluar një takim të veçantë me sekretarin e përgjithshëm të OBI-t, Ekmeleddin Ihsanoglu.

Pasi e ka falënderuar për ftesën për këtë takim të rëndësishëm, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, Ministri Hoxhaj e ka informuar sekretarin Ihsanoglu, për progresin që ka arritur Kosova, duke veçuar përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e tij dhe të organizatës për bashkëpunim më të ngushtë, duke theksuar nevojën që ka Kosova për njohje sa më të shpejtë nga të gjitha shtetet anëtare të OBI-t.

“Pas pesë vjetëve,  Kosova e pavarur ka kontribuar fuqishëm për paqen e stabilitetin në rajon dhe më gjerë, andaj është koha e fundit që të gjitha shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim islamik ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu, ka vlerësuar lart progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë ditës, ka zhvilluar një takim zyrtar bilateral edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Xhibutit, Mahmoud Ali Jusuf.

Ministrat Hoxhaj dhe Jusuf kanë biseduar për forcimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, në shumë fusha.

Dy ministrat po ashtu janë pajtuar që deri në fund të këtij viti të vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Xhibutit dhe që të avancohet bashkëpunimi i gjithanshëm ndërmjet popujve dhe qeverive të të dyja vendeve.

Ministri i Punëve të Jashtme i Xhibutit, Mahmoud Ali Jusuf, i cili ka udhëhequr takimin e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të OBI-t, me ftesë të ministrit Hoxhaj, vitin e ardhshëm do të vizitoj Republikën e Kosovës.

Hoxhaj në seancën e Kongresit Amerikan flet për zhvillimet në Kosovë dhe rajonHoxhaj në takimin vjetor të koalicionit anti-ISIS, Kosova kontribuues i sigurisë në rajonHoxhaj takon Hoyt Yee, mbështetje për njohjet dhe anëtarësimin e Kosovës në organizataHoxhaj pret në Prishtinë ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, më shumë shkëmbime ekonomike mes vendeve