Ministri Hoxhaj kërkon njohjen nga Kameruni
Ministri Hoxhaj gjatë ditës ka takuar edhe ministrin e deleguar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kamerunit, Adoum Gargoum, nga i cili ka kërkuar njohjen e Republikës së Kosovës nga ky shtet.
Hoxhaj e ka njoftuar homologun kamerunas për progresin që është arritur në Kosovë gjatë pothuaj pesë vjetëve të pavarësisë.
Ai e ka njoftuar ministrin Gargoum për procesin e suksesshëm të shtetndërtimit, ndërtimin e institucioneve qeverisëse moderne në nivel qendror dhe lokal, reformat e thella ekonomike e sociale, procesin e ndërtimit të një sistemi modern gjyqësor dhe të sigurisë.
Hoxhaj po ashtu ka theksuar fokusimin e Kosovës në forcimin e pozitës ndërkombëtare, përmes sigurimit të njohjeve nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, të cilat tashmë e kanë njohur Kosovën, dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë legalisht ka konfirmuar të drejtën e Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran dhe kjo nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Kemi larguar mbikëqyrjen ndërkombëtare të Kosovës dhe sot Kosova është një vend me pavarësi dhe sovranitet të plotë, ka thënë Hoxhaj.
Në anën tjetër, ministri i deleguar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kamerunit, Adoum Gargoum, ka thënë se shteti i tij nuk ka asnjë arsye politike apo juridike që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, duke shprehur simpatinë e popullit të tij për popullin e Kosovës.
Ministri Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Xhibuti, ka zhvilluar takime edhe me ministrat e Punëve të Jashtme të Katarit, Arabisë Saudite, Bahrejnit, me të cilët ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha aspektet, me theks të veçantë në fushën e bashkëpunimit ekonomik.





Stay Connected with MFA