Trupi i pajetë i poetit Podrimja do të riatdhesohet brenda pak ditësh
Pas marrjes së lajmit të hidhur për gjetjen e trupit të poetit në periferi të qytetit Lodeve, i tërë stafi i lartë diplomatik i Kosovës në Francë, në krye me ambasadorin Muhamedin Kullashi, janë duke u angazhuar për ofrimin e asistencës së nevojshme për autoritetet franceze, me qëllim të përfundimit sa më të shpejtë të procedurave dhe kthimit në Kosovë të trupit të Podrimjes.
Sa i përket rrethanave të vdekjes së tij, autoritetet franceze po zhvillojnë të gjitha procedurat e parapara ligjore dhe brenda pak ditëve pritet të dalin me raportin mjekoligjor për rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Nga të dhënat e deritashme, dihet se trupi i poetit Podrimja është gjetur në një pyll në anën perëndimore të qytetit Lodeve diku rreth 4 kilometra në vijë ajrore nga qendra e qytetit Lodeve, trupi i poetit ndodhej rreth dy metra afër një rrjedhe të ujit dhe në trupin e tij nuk kishte asnjë shenjë dhune, lëndimi apo agresioni.
Aktualisht trupi i poetit ndodhet në Klinikën e Mjekësisë-Ligjore në Montpellier, kurse gjatë 2-3 ditëve në vijim do të kryhet procedura e autopsisë, për të analizuar hollësisht shkaqet e vdekjes. Pas përfundimit të autopsisë, gjykatësi hetues duhet të vendos për lejen për transportimin e trupit për riatdhesim.
Autoritetet lokale të qytetit Lodeve, ku po zhvillohej festivali i poezisë, Voix de la Méditerranée, nën organizimin e Kryetares se Komunës Marie -Christine Bousquet, sot në mesditë do të zhvillojnë një tubim përkujtimor në qendrën e qytetit për nder të poetit Ali Podrimja, si dhe disa aktivitete të tjera pasuese.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës edhe një herë i shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, kolegëve, miqve dhe mbarë popullit të Kosovës për humbjen e poetit kulminant të Kosovës, Ali Podrimja.
MPJ e Kosovës po ashtu shpreh konsideratat dhe respektin më të madh për autoritetet qendrore dhe lokale franceze, për angazhimin e jashtëzakonshëm në zbardhjen e këtij rasti fatkeq.



Stay Connected with MFA