Hoxhaj në Dubrovnik: Kosova, modeli më i suksesshëm i shtetndërtimit në Ballkan
Në panelin e dytë të së shtunës, me temën Shtetndërtimi në shoqëritë post-konfliktuale - Sfidat politike dhe të sigurisë, ministri Hoxhaj ka prezantuar së bashku me ministren e Jashtme dhe të Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Vesna Pusić, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Karl Erjavec, sekretarin e përgjithshëm të Shërbimit të Jashtëm Evropian, Pierre Vimont, përfaqësuesin e lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, Valentin Inzko, përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian dhe shefin e BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Peter Sørensen si dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë, Tornike Gordadze.
Gjatë fjalës së tij në këtë panel, ministri Hoxhaj ka prezantuar progresin e madh që është arritur në Kosovë vitet e fundit, me theks të veçantë në proceset e shtetndërtimit të brendshëm, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe avancimin e agjendës euro-integruese të Republikës së Kosovës.
Hoxhaj tha para të pranishmëve se Kosova ka ndërtuar një shtet nga themelet duke u shndërruar në një storie të suksesit jo vetëm të qytetarëve dhe institucioneve të saj, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare e të Bashkimit Evropian.
\"Kosova është transformuar nga një shoqëri e post-konfliktit në një shoqëri moderne të një shteti evropian, tha Hoxhaj, duke vlerësuar marrjen e përgjegjësive nga faktorët vendorë si një proces rrënjësor të evropianizimit të Kosovës.
Duke iu referuar faktit se Kosova tashmë ka arritur që të përmbyllë mbikëqyrjen e pavarësisë, ai vlerësoi se pas këtij vendimi që është marr në Vjenë, Kosova hynë në një faze të re të shtetndërtimit, e cila do të ndryshojë natyrën e shtetësisë së Kosovës, do të forcojë edhe më shumë institucionet vendase dhe do të hapë perspektiva të fuqishme në procesin e forcimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë tregon se Kosova është modeli më i suksesshëm i shtetndërtimit në Ballkan, tha Hoxhaj.
Ndërsa, duke theksuar faktin se pavarësia e Kosovës ka prodhuar paqe, siguri dhe stabilitet në rajon, Hoxhaj shtoi se Kosova në një kohë rekord ka përmbushur të gjitha obligimet ndërkombëtare, duke implementuar Pakon e Ahtisaarit.
Ai po ashtu ka veçuar faktin se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se Kosova ka të ardhme të sigurt evropiane, duke shprehur bindjen se viti 2012 është viti evropian për Republikën e Kosovës.
Krahasuar me shtetet tjera të rajonit, Republika e Kosovës ka arritur të implementojë një dokument ndërkombëtar. Po ashtu, Kosova suksesshëm ka arritur përmbushjen e reformave, miratimin e legjislacionit, sigurimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve etj, tha ndër të tjera Hoxhaj.
Samiti Kroacia 2012, është konferenca e shtatë ndërkombëtare e organizuar nga Qeveria kroate ku marrin pjesë kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm si dhe përfaqësues të tjerë të lartë eminentë nga Evropa, Amerika Veriore dhe shtetet e Mesdheut, të cilët debatojnë për çështjet politike aktuale, aspektet ekonomike dhe të sigurisë si dhe për mundësitë e ndërtimit të një rajoni stabil dhe prosperues në Evropën Juglindore.
Në punimet dy ditore të Samitit, duke filluar që nga sesioni hapës, kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë të shtetit kroat, kryeministri Zoran Milanović, presidenti Ivo Josipović, sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Anders Fogh Rasmussen, asistent sekretari i SHBA-ve për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Philip Gordon, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, kryeministri i Malit të Zi, Igor Lukić, ministrat e punëve të jashtme të vendeve të rajonit, ministrat e jashtëm të disa vendeve të BE-së si dhe të gjithë drejtorët politik të shteteve të BE-së.




Stay Connected with MFA