Ministri Hoxhaj uron ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Panariti
Ministri Hoxhaj ka shprehur përgëzimet e Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës duke i dëshiruar z. Panariti sukses në detyrat që e presin atë dhe popullin shqiptar.
Në telegram, ministri Hoxhaj, vlerëson lartë marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
I nderuari z. Ministër, bashkëpunimi i vendeve tona është në përputhje me vullnetin e qytetarëve tanë për thellim të vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Këtë bashkëpunim nuk e lidhë vetëm historia dhe kultura e përbashkët por edhe synimi ynë që të jemi vende të zhvilluara dhe pjesë e Bashkimit Evropian, ka thënë Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka theksuar se Republika e Kosovës ka gëzuar mbështetje të gjithanshme nga institucionet e Republikës së Shqipërisë për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar përmes rritjes së numrit të njohjeve dhe pjesëmarrjes në organizata dhe forume rajonale e ndërkombëtare.
Për më shumë, kur është parë e nevojshme, Republika e Shqipërisë ka përfaqësuar edhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Duke ju falënderuar për bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet e Shqipërisë jemi të sigurt që bashkëpunimi ynë do të vazhdoj edhe më tej, ka thënë Hoxhaj.



Stay Connected with MFA