Ministri Hoxhaj uron sekretaren Clinton me rastin e 236 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve
Përmes një telegrami urimi, ministri Hoxhaj, në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, ka uruar sekretaren Clinton dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë.
4 Korriku i vitit 1776, shënon pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën kohë, kjo datë shënon një epokë të re për vlerat e jetës, lirisë dhe përpjekjeve për lumturi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet anekënd botës, ka thënë Hoxhaj, duke theksuar se Republika e Kosovës është dëshmitare e këtyre vlerave që SHBA-të kanë sjellë në botë.
Ndërkohë që ne po i forcojmë institucionet demokratike, ekonominë, dhe sundimin e ligjit, qytetarët e Kosovës i mbesin mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen aktive. Kjo mbështetje ishte jo vetëm në njohjen ndërkombëtare të Kosovës por po ashtu në bërjen e një shteti funksional dhe solid. Andaj, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë të shenjta, ka thënë Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka shprehur besimin se lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe popujve do të thellohen edhe më tutje.
Me këtë rast festiv, i urojmë të gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara një kremtim të gëzuar me paqe dhe prosperitet edhe në vitet në vazhdim, thuhet në fund të letrës së ministrit Hoxhaj dërguar sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.





Stay Connected with MFA