Zyrtarët kosovarë ngushëllojnë autoritetet e Arabisë Saudite për vdekjen e princit të kurorës
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, dje më 20 qershor 2012, kanë qëndruar në Xhide, për të ngushëlluar autoritetet saudite me rastin e vdekjes së princit të kurorës, Nayef bin Abdulaziz Al Saud.
Delegacioni kosovar u prit nga Princi i ri saudit i kurorës, Salman bin Abdulaziz Al Saudi, i cili është njëkohësisht edhe zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, princi i Mekës, Halid bin Abdulaziz Al Saud dhe princa të tjerë të familjes mbretërore.
Gjatë këtyre ditëve, delegacione nga e gjitha bota në nivel të presidentëve, kryetarëve të parlamentit, kryeministrave, dhe ministrave kanë vizituar Arabinë Saudite për të shprehur ngushëllimet me rastin e vdekjes së princit Nayef.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni kosovar ka shfrytëzuar rastin për të takuar edhe përfaqësues të shteteve të tjera. Zyrtarët kosovarë janë takuar me kryetarin e Dhomës së lartë të Parlamentit të Egjiptit, Ahmed Fahmy Ahmed, kryetarin e Parlamentit të Irakut, Usama al-Nujayfi, ministrin e Jashtëm irakian, Hoshyar Zebari, ministrin e Jashtëm të Austrisë, Finlandës, Italisë, Hungarisë dhe përfaqësues të shteteve të tjera.
Ministri Rexhepi dhe zv.ministri Gashi i njoftuan përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën me të arriturat dhe zhvillimet në vendin tonë, dhe u kanë bërë thirrje që të shpejtojnë me njohjen e Kosovës. Gjithashtu, u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera.





Stay Connected with MFA