Revista diplomatike vjeneze Cercle Diplomatique et Economique International prezanton Republikën e Kosovës
Me një përvojë 40 vjeçare, Cercle Diplomatique et Economique International, është revista kryesore për trupat diplomatik, organizatat ndërkombëtare dhe për çështjet industriale e shoqërore në Vjenë.
Revista ka botuar një mesazh të kryeministrit Thaçi, një intervistë të gjatë të ministrit Hoxhaj dhe një intervistë të ambasadorit Kiqmari, në të cilat pasqyrohet progresi i vazhdueshëm që po realizohet në Kosovë, proceset shtet-ndërtuese të brendshme, avancimi dhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, proceset perspektive integruese në Bashkimin Evropian por edhe sfidat me të cilat po përballet shteti më i ri në Evropë.
Në mesazhin e titulluar Progresi i Kosovës, kryeministri I Kosovës Hashim Thaçi thotë ndër të tjera se procesi i shtet-ndërtimit të Kosovës, ka qenë i gjatë, por se është afër kompletimit të suksesshëm gjatë këtij viti, kur pritet ti jepet një fund formal fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Kjo shënon një moment të ri historik në historinë moderne të Kosovës dhe çdo njeri që ka punuar fuqishëm në procesin e pavarësisë së Kosovës duhet të jetë krenar me të. Tash e tutje, dhe gjithmonë, Kosova do të mbetet një shtet sovran dhe i pavarur, do të ndajë të njëjtat vlera perëndimore dhe do të mbetet partner i besueshëm i komunitetit ndërkombëtar. Synimi i vendit tonë dhe vendosmëria për tu bërë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, NATO-s, OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare është i paluhatshëm, ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri më pas ka përshkruar zhvillimet e viteve të fundit në Kosovë, rolin e mekanizmave ndërkombëtar, marrëdhëniet normale ndëretnike, respektimin e plotë të të drejtave të minoriteteve.
Edhe pse kemi ende rrugë për të bërë në integrimin e komunitetit serb më komunat në veri të Kosovës, ne kemi kontroll të plotë të kufijve tanë, dhe një marrëveshje me Serbinë mbi Menaxhimin e Integruar të Kufijve (IBM). Ekonomia jonë ka parë rritje çdo vit që nga pavarësia më 2008, përkundër krizës financiare që ka ndikuar në tregjet tona natyrale që nga atëherë, dhe përkundër disavantazheve që kemi vuajtur për shkak të mosnjohjes nga Serbia dhe disa vende të BE-së, ka thënë Thaçi, duke përmendur se Kosova nuk ka në fuqi asnjë borxh ndërkombëtar.
Në sferën ndërkombëtare, kryeministri ka thënë se shumica e shteteve të botës ose kanë bërë njohje formale bilateral të Kosovës ose kanë votuar për anëtarësim të Kosovës si shtet në institucionet financiare ndërkombëtare dhe se kjo shumicë do të rritet.
Kosova do të vazhdojë të ndërtohet mbi të arriturat e deritashme duke e ditur se ne tashmë kemi ndërtuar themelet për të ardhmen. Ne do të përpiqemi që të rrisim ritmin dhe kualitetin e progresit tonë, ka thënë Thaçi, duke shtuar se është arritur shumë në Kosovë gjatë katër vjetëve të kaluara , se shumë sfida mbesin dhe po ashtu edhe shumë mundësi. Ne si Evropianët e rinj të Kosovës qëndrojmë të gatshëm që të shfrytëzojmë këto mundësi dhe të përballemi me sukses me këto sfida, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mesazhin e botuar në Cercle Diplomatique et Economique International.
Ndërsa, në një intervistë të gjatë të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në këtë revistë, me titull Kosovos European Future, trajtohet përforcimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, lobimi për rritjen e numrit të njohjeve, sfidat me të cilat po përballet diplomacia kosovare, zhvillet progresive në proceset e shtet-ndërtimit të brendshëm, rolin e Austrisë në funksionalizmin e plotë të shtetit të Kosovës, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja, perspektivën integruese të Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit në BE dhe shtyllat që e karakterizojnë Republikën e Kosovës dhe perspektivat e mëtejshme.
Ministri Hoxhaj ndër të tjera ka thënë se pavarësia e Kosovës ka sjell paqe, siguri dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke përmendur faktin se shtet fqinje (me përjashtim të Serbisë) dhe 22 shtete të Bashkimit Evropian kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Shtrirja gjeografike e njohjeve të Republikës së Kosovës është globale. Ne presim që gjatë këtij viti do të jemi në gjendje të sigurojmë njohjen nga shumica e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Ne fuqimisht besojmë se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), i cili ka përforcuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, asnjë shtet nuk ka asnjë arsye të vetme që të mos e njoh pavarësinë tonë, ka thënë Hoxhaj.
Lidhur me progresin e brendshëm në Kosovë, Hoxhaj ka thënë se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa serioze me qëllim të reformimit të sistemit gjyqësor dhe fuqizimin e sundimit të ligjit dhe se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë.
Rreth proceseve integruese të Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit në Bashkimin Evropian, ministri Hoxhaj ka thënë se nuk mund të flitet për një Evropë të plotë, të lirë, demokratike e paqësore, pa zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor.
Qeveria dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e shohin çështjen e integrimit evropian si një interes strategjik që do të thotë një ecje në dy drejtime: demokratizimin e pavarësisë së mbikëqyrur dhe në të njëjtën kohë ecje drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, ka thënë Hoxhaj, duke rikonfirmuar aspiratat integruese dhe mbështetjen e fuqishme evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe punën e fuqishme të institucioneve për përmbushjen e kritereve të kërkuara.
Në revistën diplomatike vjeneze, është botuar gjithashtu edhe një intervistë e gjatë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Austri, Sabri Kiqmari me titull Kosova 4 vjet pas pavarësisë, i cili ndër të tjera ka prezantuar punën, prioritetet dhe angazhimet kryesore të këtij misioni diplomatik të Kosovës, dhe synimin e Kosovës për përforcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve me Republikën e Austrisë, si një ndër partnerët strategjik të Kosovës.





Stay Connected with MFA