Ministri Hoxhaj priti drejtorin Politik të MPJ të Gjermanisë, Hans-Dieter Lucas
Ministri Hoxhaj e falënderoi atë për ndihmën e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën tash e sa kohë.
Ai vlerësoi rëndësinë e madhe që ka për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj përkrahja e fuqishme e Gjermanisë, në konsolidimin e shtetësisë dhe integrimin në strukturat euroatlantike.
Ministri i Jashtëm i Kosovës e informoi drejtorin Politik të MPJ-së gjermane për progresin dhe reformat e fuqishme që po ndodhin në Kosovë, si dhe për angazhimin e fuqishëm institucional e shoqëror për avancimin e shpejt në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar vendosmërinë e kosovarëve për realizimin sa më të shpejtë të kësaj aspirate.
Në këtë aspekt, Hoxhaj shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Qeveria gjermane i ka ofruar Kosovës për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe për përkrahjen e premtuar për përmbushjen e kritereve të parapara në këtë udhërrëfyes, si dhe për ecjen e shpejtë në proceset pasuese drejt integrimit në BE.
Ministri Hoxhaj kërkoi ndihmën e Gjermanisë në mënyrë që Kosovës ti mundësohet hyrja në partnerit për paqe me NATO-n, si hap i parë drejt integrimit në Aleancën Veriatlantike.
Ministri i Jashtëm i Kosovës në këtë takim i ka ftuar sërish të gjitha bizneset gjermane që të investojnë në Kosovë duke përmendur kushtet e favorshme për investime që ofron Republika e Kosovës dhe mikpritjen që ekziston në Kosovë për bizneset gjermane nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
Drejtori Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hans-Dieter Lucas, rikonfirmoi përkrahjen e Gjermanisë për proceset shtetndërtuese dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Lucas siguroi ministrin Hoxhaj për përkrahjen e fuqishme të Qeverisë gjermane edhe për proceset integruese drejt Bashkimit Evropian, duke veçuar ndihmën që do të japë në përmbushjen sa më të shpejtë dhe të suksesshme të kritereve të udhërrëfyesit drejt liberalizimit të plotë të vizave për qytetarët e Kosovës.
Drejtori Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ka mirëpritur ftesën publike të ministrit Hoxhaj për bizneset gjermane që të investojnë në Kosovë, duke e vlerësuar këtë si një proces shumë të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve të gjithanshme ndërmjet dy vendeve.





Stay Connected with MFA