Ministri Hoxhaj priti një delegacion të lartë të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Madh të Turqisë
Ministri Hoxhaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërive të dy vendeve.
Hoxhaj ka njoftuar z. Bozkir për progresin e vazhdueshëm që po realizohet në Kosovë, reformat e fuqishme dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka theksuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Republikën e Turqisë, në të gjitha fushat, duke falënderuar politikën konsistente të Turqisë në përkrahje të Kosovës, tash e shumë vjet më parë.
Hoxhaj po ashtu ka njoftuar kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Turqisë me procesin e njohjes dhe forcimit të vazhdueshëm të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.
Sa i përket njohjeve, ministri Hoxhaj ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes nga Ankaraja për përmbylljen sa më të shpejt të këtij procesi për shtetin e Kosovës.
Hoxhaj dhe Bozkir janë dakorduar për vullnetin e plotë të institucioneve të dy shteteve për thellimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, por edhe në bashkëpunimin bilateral në lëmin e ekonomisë, tregtisë dhe kulturës.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Turqisë, Volkan Bozkir, theksoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, duke theksuar gatishmërinë institucioneve turke për të kontribuuar në forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës.
Bozkir po ashtu bëri të ditur se angazhimi për rritjen e numrit të njohjeve të shtetit të Kosovës, është prioritet i rëndësishëm për Turqinë, dhe se në qëndrimin ndaj Kosovës politika turke është e unifikuar.
Ai theksoi se Turqia po ashtu përkrahë fuqishëm proceset integruese të Kosovës në proceset euroatlantike.





Stay Connected with MFA