Zëvendësministri i Jashtëm Petrit Selimi zhvilloi një vizitë zyrtare në Oslo

Oslo, 21 maj 2012 - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, qëndroi në një vizitë dyditëshe në Mbretërinë e Norvegjisë. Gjatë qëndrimit në Oslo, Selimi pati takime të larta me zyrtarë të diplomacisë norvegjeze.
Shkarko me rezolucion më të madh

Një takim të veçantë, Zëvendësministri Selimi zhvilloi me Sekretarin e Shtetit, Torgeir Larsen. Selimi potencoi lidhjet e fuqishme bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe falënderoi shtetin e Norvegjisë për përkrahjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës.

Sekretari i Shtetit Larsen konfirmoi se MPJ e Norvegjisë vazhdon ta ketë prioritet edhe për vitet në vijim Kosovën, duke vazhduar me nivelin e lartë të përkrahjes financiare që e bën Norvegjinë donatorin e të dytë bilateral për nga projektet. Sekretari Larsen komplimentoi Qeverinë e Kosovës për qëndrimin shumë të qëlluar dhe progresiv gjatë mbajtjes së zgjedhjeve serbe, duke  u mundësuar qytetarëve me nënshtetësi të dyfishtë votimin e organizuar nga OSBE.

Zëvendësministri Selimi u takua edhe me zonjën Elisabeth Walaas, Drejtoreshë e Përgjithshme e Ministrisë së Jashtme norvegjeze, të cilën e njoftoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon si dhe për qëndrimet e MPJ-së së Kosovës për çështjet kyçe të bashkëpunimit multilateral dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor. Zonja Walaas ofroi përkrahje të fuqishme për angazhimet e Ministrisë së Jashtme të Kosovës në bashkëpunim rajonal dhe tha se pret që Kosova të ketë benefite konkrete nga angazhimi pozitiv i shtetit të ri në rajon.

Ministria e Jashtme e Norvegjisë e shtroi edhe një drekë pune për zëvendësministrin Selimi të udhëhequr nga drejtori politik për seksionin e Ballkanit Perëndimor në MPJ të Norvegjisë, ambasadorin Hakon Blankenborg. Në drekë pune u diskutuan mundësitë që MPJ e Norvegjisë të përkrah financiarisht projektet e diplomacisë publike dhe kulturore të MPJ së Kosovës, si dhe të jap ndihmë teknike në procesin e liberalizimit të vizave, pasi që Norvegjia është anëtare aktive e komunitetit të Schengenit. Ambasadori Blankenborg u shpreh pozitivisht për mundësinë e përkrahjes së projekteve nga MPJ, duke i quajtur ato si investim i duhur në rritjen e vizibilitetit të Kosovës në fushën e diplomacisë publike.

Gjatë qëndrimit në Oslo, zëvendësministri pati takim edhe me drejtorin e Institutit Norvegjez për Politika të Jashtme dhe profesorin Ulf Sverdrup nga Universiteti i Oslos, në të cilin Selimi ka diplomuar. Prof. Sverdrup shprehu interesim për strategjinë e MPJ-së në procesin e njohjeve por edhe ngritjeve të kapaciteteve interne dhe premtoi angazhim të Institutit të mirënjohur norvegjez për bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të Kosovës. Gjatë vizitës në Oslo, zëvendësministri Selimi pati takime pune edhe me udhëheqësit e kompanisë së njohur Snohetta, arkitektët e së cilës dizajnuan objektet si Muzeu 9/11 në Nju Jork, operën e Oslos dhe Bibliotekën e re të Aleksandrisë, ndërsa për Selimin u organizua një pritje edhe në shkollën internacionale Berg në Oslo, në të cilën zëvendësministri ka vijuar mësimet gjatë fundit të 1990-a.

Prapa

Stay Connected with MFA

Komunikatë për Medie

19.06.2013

Prishtinë, 19 qershor 2013 - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka propozuar ambasadorin aktual në Zagreb, Valdet Sadiku, në detyrën e zyrtarit ndërlidhës të Republikës së Kosovës në...më shumë

Komunikatë për Medie

19.06.2013

Prishtinë, 19 qershor 2013 - Dorëheqja është akt personal i secilit individ, edhe i ish- ambasadorit Peci.më shumë