Ministri Hoxhaj prezantoi prioritetet e MPJ-së para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës
Ministri Hoxhaj, para deputetëve ka prezantuar prioritetet kryesore të MPJ-së, duke dhënë edhe informacione të detajuara lidhur nivelin e realizimit dhe rezultatet e deritashme.
Përmbyllja e plotë e procesit të njohjeve për Republikën e Kosovës
Ministri Hoxhaj tha se përmbyllja e plotë e procesit të njohjeve për Republikën e Kosovës është një prioritet i cili është në vazhdim katër vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Hoxhaj bëri të ditur se deri tani ka zhvilluar takime me 26 ministra të Punëve të Jashtme të vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Aktiviteti im është i një gjeografie globale, janë shtete të Amerikës Latine që janë shumë afër njohjes, janë vende të Lindjes së Mesme që janë shumë afër njohjes dhe janë vende të Azisë të cilat janë po ashtu shumë afër njohjes.
Ministri po ashtu tha se MPJ ka hartuar një strategji vitin e kaluar, i cili është rishikuar këtë vit, si dhe ka njoftuar anëtarët e Komisionit për planet, agjendat dhe strategjitë konkrete të MPJ për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi.
Hoxhaj theksoi se gjatë vitit 2012, Kosova është njohur nga Haiti, San Tome dhe Principe si dhe Brunei Darusaalam, kurse këtë vit pritet që edhe 4-5 shtete ta bëjnë publik vendimin e tyre për njohjen e Kosovës.
Kështu që në këtë drejtim kemi bërë përpjekje maksimale që ta shtyjmë agjendën e njohjeve dhe të përmbylljes së plotë të procesit të njohjeve për Republikën e Kosovës, tha Hoxhaj.
Njohja e Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian
Ministri Enver Hoxhaj i ka njoftuar anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme se ka kontakte të rregullta me të gjitha këto vende të BE-së në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme.
Mund të them që arsyet se pse këto vende nuk e njohin Kosovën janë më shumë të politikës së brendshme sesa të politikës së jashtme mirëpo në komunikimin tonë ditorë ne bëjmë përpjekje që edhe këto pesë vende të BE-së ti informojmë në mënyrë të detajuar për të gjitha rrjedhat që ndodhin në Kosovë, dhe tiu prezantojmë koncepte të detajuara se pse duhet ta njohin Kosovën, tha Hoxhaj.
Anëtarësimi i Kosovës në organizata, iniciativa dhe mekanizma rajonal evropiane dhe global
Ministri Hoxhaj tha se MPJ ka një agjendë të detajuar të kërkesave për anëtarësim dhe se zëvendësministri Petrit Selimi merret intensivisht me këtë punë, duke koordinuar komplet aktivitetet brenda Qeverisë së Kosovës dhe se çdo ministri dhe çdo agjenci në nivel qendror mirëpo edhe komunat në nivel lokal kanë caktuar njerëz me të cilët komunikohet në baza ditore.
Kemi aplikuar deri më tani për anëtarësim në 27 organizata rajonale dhe evropiane, ndërsa kemi marrë përgjigje pozitive se mund të anëtarësohemi në shtatë organizata politike, financiare, shëndetësore, sportive, kulturore, tha Ministri.
Bashkëpunimi rajonal
Ministri Hoxhaj tha se MPJ synon që me vendet e rajonit të fuqizojë në vazhdimësi kontaktet e mirëfillta. Ai bëri të ditur se vetëm gjatë këtij viti MPJ ka pasur rreth katër konsulta dhe dialogime politike të brendshme me vendet e rajonit,me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kroacinë dhe gjatë këtij vitit do të ketë konsulta në nivel politik me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Është qëllimi ynë që me të gjitha këto vende të kemi një bashkëpunim shumë më intensiv në të gjitha fushat, tha Hoxhaj.
Integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike
Ministri i Jashtëm i Kosovës bëri të ditur se gjatë vitit 2012 ka pasur mundësinë që të takohet me 13 ministra të vendeve anëtare të BE-së, dhe gjatë vizitës së Kryeministrit Thaçi në Uashington ka pasur mundësinë të takohet me Sekretaren Klinton.
Hoxhaj tha se në këtë aspekt ekzistojnë tri objektiva kryesore: liberalizimi i vizave, përmbyllja e shpejtë dhe e suksesshme e studimit të fizibilitetit e cila qon drejt nënshkrimit të marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, si dhe shndërrimi i FSK-së në ushtri të Kosovës në vitin 2013.
Partneriteti Strategjik
Ministri Hoxhaj bëri të ditur se MPJ deri më tani ka iniciuar partneritet strategjik, të përcaktuar me dokumente konkrete me disa vende, SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Shqipërinë dhe me Sllovenin, duke paralajmëruara partneritet edhe duke u shprehur i hapur për sugjerime në këtë drejtim nga Komisioni për Punë të Jashtme.
Diplomacia Ekonomike
Ministri ka njoftuar anëtarët e Komisionit se tashmë është hartuar Strategjia për Diplomaci Ekonomike i MPJ-së në bashkëpunim të ngushtë me USAID, i cili pas konsultave të gjëra do të dërgohet për miratim në Qeveri që të shërbejë si plan orientues në këtë drejtim.
Hoxhaj po ashtu ka njoftuar Komisionin për konferencat ekonomike të zhvilluara deri më tani si në Itali dhe Gjermani si dhe për planet përmbajtjen e konferencave të tilla edhe në Francë, Hungari, Turqi, Zvicër , Japoni, Holandë, Suedi e SHBA.
Diplomacia Publike
Në këtë aspekt, Hoxhaj bëri të ditur se MPJ ka ndihmuar në botimin e disa librave e revistave të cilat iu dërgohen ambasadave dhe shteteve të huaja, si dhe një varg aktivitetesh të tjera që kanë për qëllim promovimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe vendeve që e kanë njohur Kosovën
Hoxhaj bëri të ditur se deri tani Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 44 vende dhe se gjatë këtij viti synohet vendosja e marrëdhënieve diplomatike edhe me 35 shtete të tjera që e kanë njohur Kosovën.
Nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe vendve që e kanë njohur pavarësinë
Deri tani, siç bëri të ditur Ministri Hoxhaj, janë nënshkruar 86 marrëveshje dhe se shumë të tjera janë bartur në fuqi. Hoxhaj tha po ashtu se për vitin 2012 janë edhe 90 nisma të reja, 40 prej të cilave në procedure me 34 shtete të ndryshme.
Ai tha se këto marrëveshje kanë të bëjnë me bashkëpunimin polik, diplomatik, ekonomik, tregtar, arsimor dhe kulturor.
Dokument përmbledhës për parimet e politikës së jashtme
Ministri Hoxhaj tha se MPJ tashmë ka hartuar një draft-dokument që përmbledh parimet e politikës së jashtme të Kosovës, të cilin ia ka dorëzuar komisionit. Hoxhaj tha se deri në qershor pritet të përfundoj hartimi i plotë i këtij dokumenti që duhet të jetë orientin afatshkurtër, afatmesëm dehe afatgjatë i politikës së jashtme të Kosovës.
Diplomacia Parlamentare dhe e komuniteteve
Hoxhaj bëri të ditur se MPJ ka hartuar një agjendë për vizitat e kryetarit të Kuvendit në disa vende të cilat kanë qëllim lotimin për njohjen e Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe shteteve të ndryshme.
Ai po ashtu ka theksuar interesimin e MPJ-së për promovimin e fuqishëm të diplomacisë së komuniteteve, e cila mund të ndihmojnë në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën.
Ambasadat e Republikës së Kosovës
Ministri Hoxhaj njoftoi anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme për punën e ambasadave të Republikës së Kosovës dhe koordinimin e plotë për realizimin e prioriteteve dhe objektivave të politikës së jashtme të Kosovës.
Ai tha se MPJ ka arritur të përmbyll procesin e plotësimin e vendit të ambasadorit në Tiranë, në Shkup dhe në Lubjanë dhe se procesi i rotacionit është në përmbyllje e sipër.
Më pas, Ministri Hoxhaj, iu është përgjigjur pyetjeve dhe interesimeve të anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, me të cilët ka zhvilluar një dialog të hapur duke shprehur vullneti n e plotë të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të fuqizuar bashkëveprimin në realizimin e objektivave dhe synimeve të politikës së Jashtme të Kosovës.





Stay Connected with MFA