Hoxhaj merr mbështetjen e PE-së për dinamikë të re në proceset integruese të Kosovës
Ministri Hoxhaj po ashtu i është drejtuar me një fjalim anëtarëve të Grupit Panevropian, që vepron në kuadër të Grupit Parlamentar të Partive Popullore në PE.
Gjatë takimit me Joseph Daul, nënkryetar i PE-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Partive Popullore, Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Grupit më të madh në Parlamentin Evropian, atij të partive popullore për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.
Nga ana tjetër, Joseph Daul ka siguruar ministrin se Grupi Parlamentar i partive popullore do të mbështes fuqishëm integrimin e Republikës së Kosovës në të gjitha mekanizmat e Bashkimit Evropian.
Ai ka shtuar se Evropa nuk do të jetë e plotë, pa anëtarësimin e tërë Ballkanit, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, në BE.
Daul, po ashtu ka thënë se ky Grup Parlamentar do të bëjë presionin e duhur në mekanizmat e BE-së, për një dinamikë të re në procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke filluar që nga liberalizimi i vizave dhe fillimi i studimit të fizibilitetit.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka zhvilluar një takim miqësor me Hannes Swoboda, kryetar i Grupit Parlamentar i Aleancës Progresive dhe Socialdemokratëve.
Swoboda ka thënë po ashtu se pa integrimin e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë, duke theksuar se në PE ka konsensus shumë të gjerë për perspektivën evropiane të Kosovës.
Ai po ashtu ka shprehur përkrahjen e plotë të Grupit që ai përfaqëson për Kosovën, me theks të veçantë në reformat që po ndërmerr Kosova në rrugën integruese drejt BE-së.
Ministri Hoxhaj, ka marrë garanci nga të dy këto grupe shumë të rëndësishme të PE-së, se do të kërkojnë që Serbia të ketë sjellje evropiane karshi Kosovës.
Në të gjitha takimet e zhvilluara në Strasburg, Ministri është siguruar që Parlamenti Evropian është kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës.
Hoxhaj është takuar edhe me shumë eurodeputetë të tjerë, si Eduard Kukan, Ulrike Lunacek, Doris Pack, Bernd Posselt etj.
Ndërkaq, para anëtarëve të Grupit Panevropian, që vepron në kuadër të Grupit Parlamentar të Partive Popullore të PE-së, ministri i Jashtëm i Kosovës ka mbajtur një fjalim me temën Kosova - Storie e suksesit evropian.
Në fjalën e tij, Hoxhaj ndër të tjera ka thënë se në katër vitet e fundit Republika e Kosovës ka bërë progres të madh në forcimin e institucioneve demokratike, ka mbajtur stabilitetin institucional dhe ka përmirësime të dukshme në qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit dhe ekonominë e tregut.
Është edhe vlerësim i institucioneve relevante ndërkombëtare se gjatë këtij procesi Kosova është duke shkuar në drejtimin e duhur. Po kështu, krahas njohjeve, numri i të cilave ka arritur në 88, Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në përpjekjet për tu bërë pjesë e nismave rajonale dhe ndërkombëtare, ka thënë Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu ka theksuar se numri dhe shtrirja gjeografike e njohjeve të Kosovës është globale, megjithëse për Kosovën thelbësore mbetet edhe më tej njohja nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat edhe pas 4 viteve nuk e kanë bërë një hap të tillë.
Pavarësia e Kosovës është një realitet gjeopolitik dhe një faktor stabiliteti në rajon. Me ndihmën e Evropës dhe punën e saj Kosova dëshiron të përfundojë projektin e shtetësisë, tha ai.
Para eurodeputetëve, ministri Hoxhaj ka thënë se viti 2012 do të jetë vit i bisedimeve me BE për liberalizimin e vizave dhe për një marrëveshje të Stabilizim-Asociimit sikurse kanë bërë edhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor.
Pa Kosovën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, Evropa nuk do të ishte e plotë, tha ministri Hoxhaj, në fjalën e tij para deputetëve të Partive Popullore në Parlamentin Evropian.






Stay Connected with MFA