Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për themelimin e Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës
Akademia Diplomatike e Kosovës do të jetë institucion që do të shërbej brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe do të planifikojë dhe implementojë nevojat për trajnimin e stafit diplomatik të Kosovës, do të bëjë studime diplomatike për nevojat e Ministrisë së Jashtme, do të organizojë konferenca dhe seminare për diplomacinë si dhe do të hartojë dokumente të nevojshme për Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Qeveria ka vlerësuar se themelimi i kësaj akademie do ti jap mbështetje të fuqishme Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe diplomacisë kosovare.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, para kabinetit qeveritar, duke u bazuar në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, kërkoi që të mbështetet themelimi i Akademisë Diplomatike të Kosovës.
Në bazë të Ligjit për Shërbim të Jashtëm të Republikës së Kosovës, parashihet themelimi i Akademisë Diplomatike të Kosovës dhe ne si Ministri e Punëve të Jashtme mendojmë se është koha e nevojshme që të ndodh një themelim i tillë, ka thënë ai.
Ministri Hoxhaj më tej ka folur për rolin që do të ketë kjo Akademi, duke thënë se ajo do të luaj një rol të rëndësishëm në diplomacinë e Kosovës.
Akademia Diplomatike e Kosovës së pari parasheh organizimin dhe udhëheqjen e trajnimeve të stafit diplomatik dhe konsullor, së dyti parasheh ndërmarrjen e aktiviteteve hulumtuese si dhe publikimin e revistave dhe të studimeve në fushën e politikës ndërkombëtare dhe të diplomacisë. Së treti, ky institucion duhet të organizojë konferenca dhe seminare në fushën e politikës ndërkombëtare dhe të diplomacisë, ka thënë Ministri Hoxhaj.



Stay Connected with MFA