Zëvendësministri Selimi takoi nënkryetarin e Parlamentit Evropian Othmar Karas dhe diplomatë të lartë austriakë
Qëllimi i vizitës është informimi i palëve dhe organizmave për momentin prezent politik në Kosove si dhe të shpjegojë nikoqirëve lëvizjet strategjike të Ministrisë së Jashtme të Kosovës duke kërkuar ndihmë drejt anëtarësimit në organizma shumëpalësh.
Në takimin e gjatë dhe të përzemërt me nënkryetarin e Parlamentit Evropian nga Partitë Popullore Europiane Z. Karas, të mbajtur në Shtëpinë e Evropës në Vjenë, z. Selimi njoftoi nikoqirin për zhvillimet e fundit në Kosovë, pritjet e Kosovës në fushën e integrimeve evropiane dhe strategjinë dhe lëvizjet e diplomacisë kosovare drejt bashkëveprimit më të ngjeshur në organizma shumëpalësh. Z. Selimi po ashtu falënderoi z. Karas për ndihmën që partia e tij i ka dhënë Kosovës, që nga koha e Alois Mock, ish-ministër nga radhët e partisë konservatore.
Z. Karas shprehu interes për situatën prezente dhe diskutoi skenariot e mundshëm të zhvillimeve në muajt e ardhshëm. Z. Karas shprehu gatishmëri të ndihmojë proceset politike që po zhvillohen në Kosovë, përfshirë punën në lobimin me 5 shtetet e BE-së që se kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Nënkryetari i Parlamentit Evropian ftoi zëvendësministrin Selimi të mbajë një ligjëratë në takimin e radhës të liderëve dhe ministrave të rinj evropianë nga Partitë Popullore që do të mbahet në Bruksel. Z. Karas, i cili është edhe drejtor i Institutin të mirënjohur Schuman ofroi MPJ-së së Kosovës bashkëpunim konkret në projektet e diplomacisë publike dhe shprehu interesim për një vizitë të shpejtë Republikës së Kosovës.
Në takimin me ambasadoren Gurer, drejtoreshë për Ballkan, Kaukaz dhe Azi Qendrore të mbajtur në MPJ të Austrisë, z. Selimi prezantoi pikëpamjet e Qeverise kosovare në procesin e dialogut teknik, situatën e përgjithshme politike në Kosovë dhe znj. Gurer shprehu përkrahjen për perspektivën evropiane të Kosovës dhe punën e deritashme të diplomacisë kosovare.
Ajo nënvizoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për përfaqësim të Kosovës duke thënë se Republika e Kosovës mund ti gëzohet përfitimeve konkrete nga inkuadrimi si shtet dhe anëtar i barabartë në shumë organizma rajonale dhe potencoi se bashkëpunimi i Kosovës nuk do të kalojë pa u njohur nga partnerët evropianë.
Zëvendësministri Selimi po ashtu mbajti një seri takimesh me përfaqësues diplomatikë dhe udhëheqës të disa iniciativave dhe organizmave pan-evropiane të vendosura në Vjenë, ku u diskutua mundësia e rritjes së komunikimit direkt të Kosovës deri në anëtarësi të plotë në këto organizma.



Stay Connected with MFA