Ministri Hoxhaj ka marrë urime të shumta nga homologët botëror me rastin e katër vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës
Një ditë më parë, katër vjetorin e shpalljes së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, përmes një telegrami urimi, qytetarëve të Kosovës ia ka uruar Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
Në letrën e saj, Clinton në emër të shtetit dhe popullit amerikan ka uruar popullin e Republikës së Kosovës për përvjetorin e katër të pavarësisë.
Urime të përzemërta për shtetin e pavarur të Kosovës, me rastin e katër vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Ministri Hoxhaj ka marrë edhe nga Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Alain Juppe.
Juppe ka shprehur përgëzime për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke uruar suksese në vitet në vazhdim.
Ndërkaq, Didier Reynders, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Belgjikës, në telegramin e urimit shprehet i lumtur me progresin që është arritur në Republikën e Kosovës.
Kosova ka arritur suksesshëm të hyjë në fazën e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, thotë Reynders, duke uruar popullin e Kosovës në këtë përvjetor të shpalljes së pavarësisë.
Urime të përzemërta me rastin e përvjetorit të katërt të pavarësisë për popullin e Kosovës, ka shprehur edhe Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Ahmet Davutoglu, në telegramin e urimit dërguar Ministrit Hoxhaj.
Ne jemi duke përcjell me admirim hapat e sigurt të Kosovës së pavarur drejt bërjes së një shteti demokratik, shumë kulturor, në përputhje me Planin e Ahtisaarit dhe standardet ndërkombëtare, të bazuar në sundimin e ligjit dhe të fokusuar në përforcimin e institucioneve të saj demokratike, ka thënë Davutoglu, duke shprehur besim të plotë në bashkëpunimin dhe marrëdhëniet vëllazërore mes dy popujve.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, me rastin e katër vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ka marrë edhe shumë telegrame të tjera urimi nga homologët e vendeve mike, të cilët përveç përgëzimeve për suksesin që po shënohet në Kosovë, kanë shprehur vullnetin e shteteve të tyre për forcimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat me Republikën e Kosovës.





Stay Connected with MFA