Zëvendësministri Selimi në Strasburg për qasje më të avancuar të Kosovës në Këshillin e Evropës
Gjatë vizitës zyrtare në Strasburg, Zëvendësministri Selimi ka vizituar edhe Këshillin e Evropës, ndërsa ka pasur takime bilaterale përmbajtësore me Ambasadoren e Shqipërisë pranë KE-së, znj. Margarita Gega, Ambasadoren Britanike në KE, znj. Eleonor Fuller, Ambasadorin e Gjermanisë, z. Julius Georg Luym, Ambasadorin e Francës, z. Laurent Doninati, Ambasadorin norvegjez Peter Wille, Konsullin e Përgjithshëm të SHBA-ve, z. Evan Read dhe deputetë pjesëmarrës në Asamblenë Parlamentare të KE-së nga partitë e majta dhe të djathta evropiane.
Zv.Ministri Selimi ka njoftuar bashkëbiseduesit për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe qasjen strategjike të MPJ të Kosovës për hyrje në organizma ndërkombëtare.
Zv.Ministri Selimi, po ashtu, ka theksuar nevojën e qytetarëve të Kosovës që të mbulohen nga ombrella e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, organ juridik ky që shqyrton raste vetëm nga vende anëtare të KE-së.
Bashkëbiseduesit kanë përshëndetur iniciativën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës për thellimin e marrëdhënieve, rritjen e pranisë së Kosovës në Strasburg dhe adresimin e çështjeve teknike dhe kushteve formale për Kosovën si parapërgatitje për qasje më të avancuar të Kosovës në KE.
Këshilli i Evropës është trup i veçantë nga organizmat e BE-së, duke pasur në anëtarësi edhe shumë shtete nga ish-Bashkimi Sovjetik që janë kundërshtare të pavarësisë së Kosovës.
Republika e Kosovës dhe Ministria e Jashtme mëton që gjatë 2012 të avancojë pozitën e Kosovës deri në aplikim për anëtarësim të plotë në organizmat ndërkombëtarë, sidomos në organizma ku anëtarët nuk kanë të drejtë vetoje në vendime për anëtarësi të shteteve të reja.
Këshilli i Evropës ka kryesuese të radhës Britaninë e Madhe, ndërsa dy kryesueset pasuese janë Shqipëria dhe Andorra, të gjitha shtete mbështetëse të pavarësisë së Kosovës, gjë që mundëson ambient më pozitiv për argumentet e Kosovës për integrim më të madh.



Stay Connected with MFA