Hoxhaj uron popullin kroat për referendumin e suksesshëm për anëtarësim në BE
Me këtë rast, Ministri Hoxhaj në telegram ka thënë se Kroacia mbetet model për shtetet tjera të Ballkanit, që presin anëtarësimin në BE.
Referendumi i popullit të Kroacisë që shpreh aspiratat e tyre për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian është një momentum dhe shtytës i rëndësishëm për shtetet tjera të Ballkanit, që synojnë familjen e madhe evropiane, thuhet në telegram.
Ministri Hoxhaj ka theksuar se viti 2012 është viti i Kosovës evropiane. Ky vit do të jetë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Vit në të cilin për qytetarët e Kosovës do të ketë një perspektivë të qartë evropiane, vit në të cilin presim lëvizjen pa viza në Evropë, vit në të cilin presim nënshkrimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, ky është viti i Kosovës evropiane, ka shtuar Hoxhaj.
Në Kroaci, komisioni shtetëror për referendumin njoftoi se pothuajse me të gjitha votat e numëruara, del se rreth 66 për qind të votuesve kroatë mbështesin anëtarësimin e vendit të tyre në BE, përderisa 33 për qind e votuesve e kundërshtuan një gjë të tillë, ndërsa një për qind e fletëvotimeve ishin të pavlefshme.





Stay Connected with MFA