Na ndiqni në:
Sami KastratiUdhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik

Sami Kastrati, është diplomat karriere me Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, aktualisht i caktuar si Udhëheqës i Komunikimit Publik dhe Diplomacisë Publike në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Para se të merrte detyrat e tij të tanishme në mars të vitit 2017, ai ishte Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e Kosovës në Uashington D.C. (SHBA) nga viti 2013 deri në vitin 2017.

Ai shërbeu në të njëjtin kapacitet edhe në Ambasadën e Kosovës në Hagë /Holandë, nga viti 2010 deri në vitin 2013.

Para se të hynte në Shërbimin Diplomatik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, punoi si gazetar i politikës për gazetën më të madhe të përditshme në Kosovë "Koha Ditore" nga viti 2004 deri në vitin 2009.

Në këtë cilësi, ishte caktuar si gazetar në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë (ICTY) që ishte e vendosur në Hagë për të mbuluar gjykimin e ish-Presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë të akuzuar për krime lufte.

Ndërmjet vitit 2006-2007, ishte anëtar i zgjedhur i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës dhe ai është fitues i çmimit për gazetari hulumtuese.

Gjatë karrierës së tij profesionale, punoi si raportues në Iniciativën e Kosovës për Transparencë --Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe më vonë si Ekspert Lokal i Komunikimit për Organizatën e Konsulentëve Evropianë në Bruksel dhe Altair Asecores në Madrid në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Ai ka një Diplomë Bachelor nga Universiteti i Prishtinës në Shkencat Politike dhe Diplomë Master në Integrime Evropiane dhe Regjionalizëm nga Universiteti i Gracit - Austri, Akademia Evropiane e Bolzanos - Itali, Instituti Evropian për Administratë Publike në Luksemburg dhe Qendra Evropiane për Rajone në Barcelonë - Spanjë.

Në vitin 2016 ai përfundoi Programin e Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Harvard Kennedy School/Edukim Ekzekutiv duke u bërë kandidati i parë nga Kosova që ishte përzgjedhur në këtë program.

Ai, gjithashtu mori trajnime profesionale për Gazetarinë Hulumtuese dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare të organizuara nga Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve - Uashington D.C., Qendra Evropiane e Gazetarisë e vendosur në Bruksel dhe Instituti Holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare - Mbretëria e Holandës.