Na ndiqni në:
Fitim SadikuSekretar i përgjithshëm

Lindi më 10 qershor 1974, Shkollën Fillore e kreu në Dumnicë, kurse Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë. Më 1998, kreu Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, kurse provimin e jurisprudencës e kreu më 30 maj të vitit 2004. Sadiku ka përfunduar edhe provimin përgatitor hyrës për gjyqtar dhe prokuror, provim ky i organizuar nga Instituti gjyqësor i Kosovës.  Në shkurt të vitit 2002, ka punuar praktikant në Odën e Avokatëve të Kosovës në projektin e financuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe ABA/CELI.

Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ka përfituar përvojë profesionale nga trajnime, seminare, punë në zyrën e avokatit dhe nga praktika në gjykata vendore. Pas përfundimit të stazhit të praktikantit, Sadiku për afro tre muaj, ka punuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës, referent i ekzekutimeve. Nga 23 qershori i vitit 2003 ka punuar në Ministrinë e Shërbimeve Publike, zyrtar i lartë i monitorimit të shërbimeve komunale.

Me krijimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kalon në MAPL, përkatësisht në Departamentin e Administratës Lokale, ku kryen detyrën e menaxherit të Prokurimit.  Nga fundi i vitit 2005 gjerë në gusht të vitit 2008 ka punuar në Departamentin Ligjor të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ku ka kryer detyrën e udhëheqësit të Divizionit për Zbatim të Përgjegjësive dhe Transparencë në Komuna.  

Nga gushti deri në fund të nëntorit të vitit 2008 rikthehet në Ministrinë e Shërbimeve Publike, ku ushtroi detyrën e drejtorit të Departamentit të Administratës Qendrore. Nga muaji nëntor 2008, Sadiku ushtron detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shërbimeve Publike. Ndërsa nga 27.07.2011 është emëruar sekretar i përgjithshëm në MAP me mandat trevjeçarë.

Ka marrë pjesë nëpër shumë seminare dhe vizita studimore, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Brenda vendit ka ndjekur seminaret dhe trajnimet, që kishin të bënin me Shërbimin Civil dhe me hartimin e legjislacionit, kurse vizitat studimore jashtë vendit i ka realizuar në Paris, Londër, Edinburg, Shkup etj.

Për dy vjet me radhë ka ndjekur trajnimin “Ligji i Bashkimit Evropian dhe përshtatja e tij me legjislacionin evropian”. Ky projekt është organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe është mbështetur nga Agjencia Evropiane për Rindërtim. Fitim Sadiku, përveç gjuhës amtare-shqipe, flet edhe gjuhën serbokroate, ndërsa ka njohuri mesatare të gjuhës angleze.

Është i martuar me Njomzën dhe është  baba i dy fëmijëve: Jonit dhe Dionit. Jeton në Fushë Kosovë.

Që nga fundi i vitit të kaluar Sadiku, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është transferuar në pozitën, Sekretar i Përgjithshëm.