Na ndiqni në:

Njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e sovranitetit të Kosovës do të mbetet prioritet i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Procesi i njohjes së Kosovës ka treguar se shteti i Kosovës është një realitet i pandryshueshëm dhe një faktor i domosdoshëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon. Më së miri kjo dëshmohet nga fakti i njohjes formale të Kosovës nga të gjitha vendet fqinje (me përjashtim të Serbisë), shumica dërrmuese e shteteve nga rajoni dhe komunitetit Euroatlantik.

Arritjet e deritanishme janë një meritë e diplomacisë proaktive dhe dinamike të Kosovës, por edhe një meritë e partnerëve tanë ndërkombëtarë që kanë mbështetur procesin e njohjes dhe kanë lobuar në emër të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme do të mbetet fuqimisht e angazhuar për të lobuar për njohje ndërkombëtare nga ana e shteteve anëtare të OKB-së, me qëllim të forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve anëtare të OKB-së.

Republika e Kosovës ka siguruar 114 njohje, në këtë mënyrë ka arritur qëllimin për të pasur më shumë se 100 vende që e njohin Kosovën. Përkushtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për të përfunduar procesin e njohjeve ndërkombëtare duhet të përqendrohet në një komunikim diplomatik me shtetet e mëdha që nuk e kanë njohur ende Kosovën, si brenda Evropës po ashtu edhe përtej saj.

Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbetet fuqishëm e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë dhe vazhdimin e dialogut që do të synohet të finalizohet më njohjen e ndërsjellë e që do të mundësonte ndërtimin e paqes së qëndrueshme në mes të dyja vendeve dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike e të mira fqinjësore, në frymën evropiane.

Me rritjen e numrit të njohjeve, prioritet vazhdon të mbetet vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Marrëdhëniet diplomatike fuqizojnë njohjen e Kosovës nga një shtet dhe forcojnë pozitën si një anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare. Gjithashtu, këto marrëdhënie kanë potencial për të sjellë përfitime të tjera të rëndësishme, siç janë investimet e huaja, shkëmbimet tregtare etj.