Na ndiqni në:

Java e Tolerancës dhe Pajtimit përmbyllet me një ligjëratë me temën “Kurani dhe Dashuria” nga L.M.T. Princ Ghazi i Jordanisë

Enjte 29 Maj 2014, Prishtinë

Java e Tolerancës dhe Pajtimit u përmbyll me një ligjëratë nga Lart Madhëria e Tij Princ Ghazi bin Muhammad i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë mbi konceptin e Dashurisë bazuar në Kuranin e Shenjtë. Gjatë ligjëratës, Princ Ghazi ka cituar ajete Kuranore që e mishërojnë Zotin si pesonifikim të dashurisë dhe ka theksuar referenca mbi dashurinë e familjes, shoqërisë dhe fqinjëve. Ligjërata e Princ Ghazit është e bazuar në librin e tij “Dashuria në Kuranin e Shenjtë.” Kopje të librit janë shpërndarë pas ligjëratës ku kanë marrë pjesë mbi 350 pjesëmarrës.

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka prezantuar Princ Ghazin para publikut Kosovar, duke i vënë theks të veçantë përpjekjeve të Lartësisë së Tij Mbretërore në promovimin e marrëdhënieve harmonike ndërfetare. Presidentja Jahjaga ka thënë:

"Ne shpesh flasim për kufijtë, për vijat ideologjike që na ndajnë ... Ne shpesh kërkojmë mënyra për të mbyllur boshllëqet e keqkuptimit...për të gjetur mirëkuptim dhe për të krijuar paqe dhe harmoni për veten tonë dhe të tjerët rreth nesh. Por rrallë gjejmë njerëz të cilët ia dedikojnë gjithë jetën e tyre në ndjekjen e një kauze aq fisnike.”

Presidentja Jahjaga e ka quajtur Princ Ghazin një “vizionar të mrekullueshëm,” “njeri të guximshëm,” i cili ka frymëzuar njerëz në mbarë botën dhe ka promovuar mirëkuptim mes besimeve të ndryshme. 

Gjatë ligjëratës, që ka mbledhur politikanë vendorë dhe diplomatë të huaj, udhëheqës të komuniteteve fetare, përfaqësues të akademisë dhe shoqërisë civile, Princ Ghazi bin Muhammad ka përqendruar fillimin e ligjëratës në Dashurinë Hyjnore. Princ Ghazi ka thënë:

“Zoti kurrë nuk thotë, as edhe njëherë, që Ai urren dikë apo kushdo që ka bërë diçka të keqe. Ai vetëm thotë se nuk i do ata. Dashuria është neutrale, urrejtja është negative.”

Princ Ghazi ka folur edhe për dashurinë njerëzore, si dhe për llojet e ndryshme të dashurisë, fazat e dashurisë, rënien në dashuri, dashurinë e lumturinë, si dhe dashurinë dhe vdekjen.

Princ Ghazi bin Muhammad është profesor dhe studiues i njohur i filozofisë Islame. Ai është i diplomuar me gradë  summa cum laude në  Universitetin e Princeton, ka përfunduar doktoraturën në  Universitetin e Cambridge dhe doktoraturën tjetër në  Universitetin Al- Azhar në  Kajro.

Ligjërata e Princ Ghazit të Jordanisë mbi “Dashurinë dhe Kuranin” shënon edhe përfundimin e Javës së Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë për këtë vit që është mbajtur nga 23 deri më 30 maj. Java e Tolerancës dhe Pajtimit është një nismë e Interfaith Kosova, që është themeluar dhe udhëhiqet nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.

Konferenca e dytë ndërkombëtare mbi dialogun fetar ka qene ngjarja kryesore e kësaj jave. Nëpërmjet një game të gjerë të ngjarjeve që promovojnë një agjendë të pajtimit dhe mirëkuptimit në Kosovë dhe më gjerë, audiencat globale angazhohen dhe komunitetet fetare lokale takohen për të reflektuar mbi rëndësinë e dialogut ndërfetar në ushqimin e harmonisë dhe bashkëjetesës mes komuniteteve të ndryshme fetare.

Për informata të mëtejshme lidhur me Javën e Tolerancës dhe Bashkëjetesës, ju lutem vizitoni faqen zyrtare të Nismës Interfaith Kosova  http://interfaithkosovo.org/  ose na ndiqni  në Twitter @InterfaithRKS  dhe bashkojuni debatit duke përdorur  #Interfaith #Kosovo #Interfaithkosovo14.