Na ndiqni në:

Hoxhaj në Prizren, bashkëjetesa dhe dialogu ndërfetar shtylla të shtetit të Kosovës (Video)

Prizren, 24 maj 2014 - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar themelimin e një Qendre Ndërkombëtare për Dialog Ndërfetar në Kosovë në vazhdën e angazhimit të shtetit të Kosovës për ta promovuar tolerancën dhe dialogun ndërfetar.

Hoxhaj ka thënë se organizimi i konferencës ndërfetare në një prej qyteteve më historike dhe shumetnike, flet për dedikimin e shtetit të Kosovës për ta promovuar edhe më shumë tolerancën fetare dhe bashkëjetesën e komuniteteve të besimit për vite të tëra.

“Kosova është shembull i tolerancës fetare, dhe kjo është një vlerë që duhet ta ruajmë dhe ta kultivojmë. Ne kemi dëshmuar që ruajmë dhe mbrojmë trashëgiminë fetare të të gjitha grupeve fetare në Kosovë. Për këtë arsye ne kemi vendosur që të themelojmë në Kosovë një Qendër Ndërkombëtare për Dialog Ndërfetar e cila do t’i shërbente promovimit të mëtutjeshëm të harmonisë fetare në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë Hoxhaj, para mbi 100 personaliteteve fetare dhe studiuesve nga bota dhe rajoni.

Ministri Hoxhaj ka thënë po ashtu se Kosova, shteti dhe elitat politike e kanë shtyrë përpara pluralizmin religjioz dhe bashkëjetesën, duke e promovuar sekularizmin si një nga shtyllat kryesore të shtetit.

Ai po ashtu ka folur edhe për shkatërrimet në luftën e fundit të xhamive, të cilat janë përmbledhur në një libër që do të promovohet gjatë kësaj konference.

“Gjatë konferencës është promovuar edhe një libër që paraqet shkatërrimin e trashëgimisë islame në Kosovë, gjatë luftës së fundit në vend. Libri paraqet në mënyrë të qartë dhe figurative shkatërrimin e 208 xhamive të kryera nga forcat serbe. Përderisa Kosova ka ndërmarr masa për të rindërtuar dhe mbrojtur trashëgiminë ortodokse serbe në Kosovë, Serbia nuk ka ndërmarr masa të ngjashme për të njohur dhe pranuar dëmet e shkaktuara ndaj trashëgimisë fetare islame në Kosovë”, theksoi ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Pas suksesit të konferencës vjetore vitin e kaluar në Pejë, këtë vit mbi 150 mysafirë nga afërsisht 50 shtete janë mbledhur në qytetin historik të Prizrenit në konferencën e dytë vjetore ndërfetare e titulluar “Feja dhe politika: Përforcimi i dialogut ndërfetar me qëllim të zhvillimit demokratik” (23-25 maj), që shënon fillimin e Javës së Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë.