Na ndiqni në:

Të enjten zbulohet pllaka përkujtimore për hebrenjtë që pësuan gjatë Holokaustit

Prishtinë, 22 maj 2013 – Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë, që po zhvillohen nga data 20 deri më 26 maj, nesër (E Enjte - 23 maj 2013), në Prishtinë, do të zhvillohet ceremonia e zbulimit të pllakës përkujtimore për hebrenjtë që pësuan gjatë Holokaustit nëpër kampet e përqendrimit në Gjermani dhe pjesë të tjera të Evropës, si dhe për të nderuar hebrenjtë që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në Kosovë.

Pllaka përkujtimore, po ashtu, do të shënojë miqësinë e përhershme ndërmjet popullit të Kosovës dhe popullit hebre.

Ceremonia, e cila do të zhvillohet nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbahet në vendin ku ka ekzistuar Sinagoga e fundit hebreje në Prishtinë, në afërsi të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë ngjarje, do të marrin pjesë udhëheqës shtetëror të Republikës së Kosovës, përfaqësues të Izraelit, gazetarë izraelitë si dhe përfaqësues të komunitetit hebre në Kosovë dhe botë.

Për informata të detajuara për ceremoninë, përfaqësuesit e medieve, do të njoftohen gjatë ditës së nesërme.

Java e Tolerancës në Kosovë, po zhvillohet nga 20 deri 26 maj, dhe përfshinë një varg ngjarjesh ku do të mblidhen komunitete dhe liderë globalë të cilët i përkushtohen dialogut pozitiv dhe të hapur. Mbi 300 mysafirë nga gati 50 shtete nga pesë kontinente do të vijnë në Kosovë.

Pas ceremonisë së Gurit për Paqe, më 23 maj do të bëhet inaugurimi i Monumentit të Holokaustit, kurse nga data 24 deri 26 maj, do të zhvillohet takimi i dhjetë jubilar i Grupit të Mëngjesit të Lutjeve në Evropës Juglindore (Lutja Kombëtare e Mëngjesit) si dhe konferenca ndërfetare e cila do të zhvillohet në Pejë.

Për informacione më të hollësishme lidhur me ndonjërën nga këto ngjarje, luteni ta vizitoni uebfaqen Interfaith Kosovo, www.interfaithkosovo.org , ose ndiqni @InterfaithRKS në twitter përmes #Interfaith #Kosovo.