Na ndiqni në:

Guri për Paqe në Kosovë shënon fillimin e Javës së Tolerancës dhe Pajtimit

Prishtinë, 20 maj 2013 - Kosova sot iu bashkua mbi 100 shteteve që e kanë marrë Gurin për Paqe, një simbol të dëshirës së vendosur për paqe. Derisa Kosova përgatitet të presë liderë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të feve gjatë gjithë Javës së Tolerancës dhe Pajtimit, nga 20-26 maj, ngjarja e sotme shënon një moment të rëndësishëm kur Kosova konfirmon zotimin për harmoni për komunitetet e ndryshme të saj, me fqinjët e saj në rajon dhe si një qytetare e mirë globale.

Asociacioni “Guri për Paqe” i Hiroshimës u themelua më 1991 për të promovuar paqen dhe për të krijuar lidhje në mbarë botën duke dhuruar gurë simbolikë nga kalldrëmi në qytetin e Hiroshimës, ku bomba atomike shpërtheu në gusht të vitit 1945. Prishtina tani i është bashkuar të gjithë atyre qyteteve që kanë nderuar viktimat e luftës me këtë simbol që uron për një botë më paqësore.

Në ceremoninë Guri për Paqe, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha:

“Ky gur mbart simbolin që lufta kurrë më të mos ndodhë, por që paqja mes njerëzve duhet të mbretërojë. Paqja gjithmonë shoqërohet me tolerancë, mirëkuptim dhe solidaritet mes njerëzve.”

“Qytetarët e Kosovës e dinë shumë mirë se sa e shtrenjtë dhe e vlefshme është liria, sa domethënëse është paqja, dhe sa i dhimbshëm por edhe i nevojshëm është pajtimi. Edhe sot, 14 vjet pas çlirimit të Kosovës, e kemi të pambyllur plagën për të ditur fatin e të pagjeturve, krahas viktimave dhe pasojave shumë të rënda që shkaktoi lufta.”

Ceremonia Guri për Paqe u zhvillua të hënën pasdite në Muzeun Kombëtar në një ceremoni të organizuar nga presidentja Atifete Jahjaga, së bashku me zëvendësministrin e Kulturës, Hajdin Abazi, dhe kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa. Ambasadori japonez në Kosovë Shkëlqesia e Tij Shigeo Iwatani gjithashtu morri pjesë, së bashku me përfaqësuesit e Asociacionit Guri për Paqe.

Drejtuesi i Asociacionit Guri për Paqe, Michio Umemoto, tha:

“Pa dyshim, ne jemi dëshmitarë të procesit të pajtimit këtu në Kosovë, proces i cili nuk ndryshon aspak nga rruga që Hiroshima ka ndjekur. Falja përtej vështirësive që njerëzit tuaj kanë përjetuar na ka lënë mbresë më së shumti.”

Për informacione më të hollësishme lidhur me ndonjërën nga këto ngjarje, luteni ta vizitoni uebfaqen Interfaith Kosovo, www.interfaithkosovo.org , ose ndiqni @InterfaithKosovo në twitter përmes #Interfaith #Kosovo.

Për informacione me të hollësishme mbi Gurin për Paqe, vizitoni faqen e internetit:
http://stone-for-peace.org/english/05asso/en-asso01.html