Na ndiqni në:

Zëvendëskryeministri Thaçi ndau çmimet e garës kombëtare #InstaKosova

Prishtinë, 16 shkurt 2015 - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Isa Mustafa morën pjesë në ekspozitën e garës kombëtare të fotografive më të mira, #InstaKosova, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, në kuadër të shënimit të shtatëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Juria e përbërë nga: Blerim Racaj (fotograf), Nita Salihu (dizajnere), Blerta Kambo (fotografe), Arjeta Emra (drejtoreshë e British Council) dhe Era Istrefi (këngëtare) kanë vlerësuar fotografitë e postuara dhe në të gjitha rrjetet sociale të cilat reflektojnë mbi arkitekturën, urbanizmin, natyrën, shoqërinë, jetën e natës, rininë dhe të jetuarit në Kosovë.

Fituesja e fotografisë më të mirë është përzgjedhur Sara Rodiqi me fotografinë “N’kamp verës në Ngom Fest, Prizren”. Juria përzgjedhëse ka vlerësuar  se “fotografia përkatëse është e pa ekzagjeruar, plot jetë, foto shokësh që me vete e kanë botën dhe limiti i kufijve të këtij vendi nuk ua limiton lidhjen utopike me hapësirën, me njëri-tjetrin dhe me ne si vëzhgues.Nuk është foto e shikimit të parë, është foto që rritet, zbukurohet, shtohet derisa e sheh”.

Ndërsa fituesit e dhjetë fotografive më të mira janë: Jetmir Idrizi, Diellza Hasani, Armend Krasniqi, Agon Syla, Agron Beqiri, Nita Deda, Orgesa Arifi, Fisnik Dobreci, Drenusha Lika, Nëntor Oseku.

Fotografia më e mirë është shpërblyer me 500 euro, kurse 10 fotografitë më të mira me nga 100 euro. Ndërkohë juria ka përzgjedhur edhe rreth 100 fotografi të cilat do të publikohen  në një libër fotografish cili do të ndahet falas në institucione të ndryshme shtetërore në botë dhe në hapësira të ndryshme të artit e kulturës.

Gjatë kësaj ngjarjeje, kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi ndanë çmimet kryesore të edicionit të dytë të garës InstaKosova, ku juria i ka vlerësuar rreth 25 mijë fotografi.