Na ndiqni në:

Lansimi i “Digital Kosovo” mbështet qytetarët e Kosovës për të lobuar për përfshirje më të gjerë në internet

Prishtinë, 2 shtator 2013 - Lansimi i sotëm i portalit të internetit Digital Kosovo është një hap i rëndësishëm drejt adresimit të disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës në qasjen e tyre ndaj përfitimeve të plota të internetit. Duke qenë se Republika e Kosovës vazhdon punën e saj në njohjet politike, kjo nismë e re e Fondacionit IPKO e lansuar sot në “Hotel Sirius” është pjesë e një përpjekje të vazhdueshme për të siguruar njohje më të mëdha nga infrastruktura globale e internetit.

Faqja e re e internetit www.digitalkosovo.org është projektuar dhe zhvilluar nga Fondacioni IPKO, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Këshillit Britanik dhe ambasadës norvegjeze, në kuadër të Strategjisë së Diplomacisë Digjitale të Kosovës. Ky projekt i ri i mundëson qytetarëve të Kosovës që të veprojnë si diplomatë digjital dhe të marrin pjesë në avokim online.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, tha:

“Mospërfshirja e Kosovës nga shumë prej faqeve më të njohura të internetit në botë nënkupton se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga shfrytëzimi i plotë i shërbimeve online; një e drejtë që konsiderohet e mirëqenë nga njerëzit në mbarë botën. Kjo gjithashtu ka një efekt të dëmshëm mbi ekonominë tone. Përpjekjet tona lobuese të ndërthurura me avokimin qytetar kanë bindur me sukses drejtuesit e faqeve e internetit të tilla si Twitter, e së fundi edhe LinkedIn, të përfshijnë Kosovën, dhe ky projekt është i rëndësishëm në rritjen e përpjekjeve si pjesë e Strategjisë sonë për Diplomaci Digjitale. Digital Kosovo mbështet qytetarët tanë për të kontribuar drejt përfshirjes së Kosovës në të gjitha faqet më të rëndësishme të internetit, që ata të mund të kenë qasje në internet për blerje online, për aktivitete të biznesit dhe për rezervime të udhëtimit në po të njëjtën mënyrë si përdoruesit tjerë të internetit në mbarë botën.”

Anëtari i Bordit të Fondacionit IPKO dhe sipërmarrësi i internetit, Kushtrim Xhakli, tha:

“Ne jemi të përkushtuar për fuqizimin e qytetarëve të Kosovës për të avokuar për përfshirje në faqet e internetit në tërë botën. Kemi pasur tashmë një sërë suksesesh, si rezultat i punës së deritanishme Fondacionit IPKO, dhe portal Digital Kosovo do të na mundësojë që të avancojmë në këtë kuadër me mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetit shumë aktiv online këtu dhe jashtë vendit.”

Ambasadori norvegjez në Republikën e Kosovë, Jan Braathu, tha:

“Përmes Digital Kosovo, të gjithë mund të jemi diplomatë digjitalë dhe mund të përfitojmë nga ndikimi ynë potencial duke kërkuar që Kosova të njihet nga kompanitë në internet. Kjo shkon përtej shqetësimeve personal. Shohim potencial të madh në shfrytëzimin e diplomacisë digjitale për të mbështetur shtetësinë e Kosovës.”

Duke folur për punën e ambasadës britanike dhe Këshillit Britanik në mbështetjen e përpjekjeve të Diplomacisë Digjitale të Kosovës, Myrna Macgregor nga ambasada britanike tha:

“Diplomacia digjitale po ndryshon mënyrën se si ne bëjmë politikën e jashtme. Me praninë e qeverive, bizneseve dhe shoqatave bamirëse online, të gjithë duhet të kemi një prani të forte digjitale. Njohja e Kosovës në internet është e një rëndësie të madhe praktike dhe simbolike dhe është e papranueshme që Kosova ende nuk shfaqet në kaq shumë faqe të internetit. Pra, Digital Kosovo është një nismë e mirëseardhur, e cila do t’i mundësojë entuziastëve të rinj kosovarë të internetit të bëhen avokatë për përfshirjen e shtetit të tyre në internet.”

Faqja e internetit Digital Kosova është lansuar zyrtarisht në një konferencë për medie në “Hotel Sirius” në Prishtinë, ku në mesin e të pranishmëve ishin edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, anëtari i Fondacionit IPKO, Kushtrim Xhakli, ambasadori norvegjez Jan Braathu, dhe Myrna Macgregor nga ambasada britanike.

Fakte dhe shifra


Mbi 70% e popullsisë së Kosovës është nën moshën 30-vjeçare, si rrjedhojë, Kosova është një shtet shumë aktiv në aspektin dixhital, me shkallë të depërtimit dhe shfrytëzimit të internetit të ngjashme me tërë Evropën dhe botën. Shkalla e depërtimit në internet në kuptim të numrit të përdoruesve është 76.6%.

Facebook ësht ë rrjeti më popullor social në Kosovë – i përdorur nga afërsisht tre të katërtat e shfrytëzuesve të internetit në Kosovë. Përderisa përdoruesit aty mund të zgjedhin Kosovën si një lokacion, Facebook nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Një numër i faqeve me të njohura të internetit të tilla si TripAdvisor dhe LinkedId e njohin Kosovën, megjithatë faqet tjera të rëndësishme ende nuk e kanë njohur Kosovën si një entitet të pavarur, duke përfshirë Amazon, eBay, Yahoo dhe Skype. Këto faqe të internetit, së bashku me mijëra faqe tjera locale dhe rajonale, por edhe portale dhe mjete të medieve sociale, ende nuk e kanë përfshirë Kosovën si një shtet në menynë e tyre.