Na ndiqni në:

Ministria e Jashtme e Kosovës hap garën kombëtare për foton më të mirë #InstaKosova

Prishtinë, 14 janar 2013 - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, në kuadër të festimit të pesë vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, ka hapur garën kombëtare për foton më të mirë të botuar nga vetë qytetarët e Kosovës në rrjetet sociale në internet. Ky aktivitet është paraparë në Strategjinë për Diplomaci Digjitale, e përkrahur nga Këshilli Britanik dhe Ministria e Jashtme e Norvegjisë.

Gara kombëtare për foton më të mirë është e hapur deri më 28 janar 2013. Juria profesionale do të vlerësojë fotot më të mira për kategoritë Vendet e Kosovës, Njerëzit e Kosovës dhe Ngjarjet në Kosovë. Do të shpërblehen 10 fotot më të mira me nga 250 euro, ndërsa fituesit e fotos më të mirë në çdo kategori do të fitojnë nga 800 Euro. 100 fotot më të mira do të botohen në një botim të veçantë. Kushti i vetëm është që fotografia të ketë qenë e postuar në rrjetet sociale Instagram, Facebook, Flicker, tek profilet e kosovarëve gjatë pesë vjetëve të fundit.

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi tha se gara kombëtare #InstaKosova nderon me qindra dhe mijëra kosovarë që çdo vit postojnë foto të bukura dhe mahnitëse nga Kosova dhe të njerëzve të Kosovës, duke i bërë kështu më shumë reklamë Kosovës se çfarëdo fushate reklamuese. “Duke dashur ta njohim punën e madhe dhe kreativitetin e qytetarëve, ne kemi vendosur të bëjmë këtë garë, duke marrë parasysh sidomos fotot e botuara në rrjetin e fotove Instagram”, ka thënë Selimi.

Adriatik Kelmendi, TV producent dhe gazetar si dhe kryetar i jurisë profesionale ka përshëndetur këtë iniciativë duke thënë se “kjo garë e hapur është mënyrë e mirë që të shfrytëzohen potencialet kreative të kosovarëve për të sjellë një imazh më ndryshe të Kosovës.”

Arjeta Emra, drejtoreshë e British Council shprehet krenare për mbështetjen gjatë këtij viti të projekteve të shumta kreative nga fusha e Diplomacisë Digjitale. “British Council në tërë globin është e njohur për veprimet e diplomacisë publike, dhe kjo lloj gare është shembull i mirë i bashkëpunimit ndërmjet diplomacisë, artistëve dhe qytetarëve për një qëllim të bukur siç është festimi i pesë vjetorit të pavarësisë”, ka thënë Emra.