Na ndiqni në:

Diplomacia Digjitale e Kosovës vlerësohet ndër më të mirat në botë

Prishtinë, 27 dhjetor 2012 - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është përzgjedhur si autore e Strategjisë më të mirë Kombëtare për Diplomaci Digjitale nga të gjitha shtetet e Ballkanit, nga revista prestigjioze për diplomaci publike në Turqi “Yeni Diplomasi” (“Diplomacia e Re”).

Strategjia e Diplomacisë Digjitale e Kosovës vlerësohet si më e mira pas asaj të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Izraelit, nga ekspertët turq që kanë vlerësuar përmbajtjen e Strategjive të disa dhjetëra shteteve si dhe veprimet e ndryshme që ministritë e jashtme dhe diplomacitë botërore kanë ndërmarr për afirmimin digjital të shtetit të tyre.

Halil Ibrahim Izgi, ekspert turk për diplomaci publike dhe digjitale, në një shkrim autorial në revistën “Yeni Sahaf”, lajmëron për gjetjet e analizës së “Yeni Diplomasi” ku thuhet se: “Kosova është bërë një ndër shtetet më aktive në diplomacinë digjitale. Kjo ka ndërlidhje të madhe me tentativat e shtetit për më shumë njohje. Përkrahje të madhe, diplomatët kosovarë kanë edhe nga diaspora dinamike digjitale që përfaqëson aset të madh të Kosovës”.

Kjo analizë paraqet Kosovën si shtetin e katërt me Strategjinë më të mirë, pas superfuqive në internet SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Izraelit.

Petrit Selimi, zëvendësministër i Jashtëm i Kosovës dhe përgjegjës për inicimin e draftimit dhe implementimit të Diplomacisë Digjitale në Kosovë thotë se Kosova këtë vit ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në komunikim nëpërmjet mjeteve digjitale.

“Fillimisht kemi përfituar përkrahje nga ekspertë të ministrive simotra, pastaj kemi kërkuar sponsorim dhe jemi të gëzuar për përkrahjen që na kanë dhënë Qeveria norvegjeze dhe britanike për veprimet tona në diplomaci digjitale. Sipas Strategjisë, kemi investuar në krijim të app-save për telefoni mobile, jemi duke organizuar trajnime për Wikipedia, ndërsa kemi edhe shumë veprime, portale dhe projekte për të implementuar edhe më 2013”, ka thënë Selimi, duke bërë të ditur se që në janar do ta lansohet një portal interesant në pesë gjuhë që do ta prezanton Kosovën.

Arjeta Emra, drejtoreshë e British Council thotë se Këshilli Britanik është krenar që ka bashkëpunuar me MPJ-në e Kosovës dhe komunitetin digjital për të krijuar përmbajtje, trajnime dhe veprime tjera në fushën e diplomacisë digjitale me ndihmën modeste që është pranuar.

“Me më shumë resurse do të kemi edhe më shume rezultate dhe në këtë aspekt i falënderojmë të gjithë aktivistët në internet që ndihmojnë Kosovën duke promovuar kulturën, sportin, politikën, shoqërinë diverse të Kosovës, nëpërmjet mjeteve digjitale. Kjo mirënjohje nga Turqia na bën me dije se jemi në rrugë të mirë sa i përket afirmimit të agjendës kosovare”, thotë Emra.