Na ndiqni në:

Nis gara nacionale për krijimin e aplikacioneve mobile “AppCamp Kosova”

Prishtinë, 2 nëntor 2012 – Të premten në Prishtinë ka nisur gara nacionale për krijimin e aplikacioneve mobile “AppCamp Kosova”, projekt i implementuar nga IPKO Foundation, i organizuar nga MPJ e Kosovës, në bashkëpunim me partnerët, Ambasadën e Britanisë së Madhe, Ambasadën Mbretërore të Norvegjisë dhe Innovation Center Kosovo.

Para rreth 300 konkurrentëve dhe të ftuarve të tjerë, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka folur për rolin dhe rëndësinë e këtij aktiviteti të paraparë në Strategjinë për Diplomaci Publike të Kosovës, duke vlerësuar rolin shumë të rëndësishëm që ka kjo formë e diplomacisë në zhvillimet globale.

Selimi theksoi hapësirat e shumta të pashfrytëzuar deri më tani në sferën e diplomacisë digjitale, duke thënë se deri më tani, përmes internetit, audiencës globale i janë servuar shumë pak të vërteta pozitive për Kosovën, e shumë materiale propagandistike në dëm të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

“Qëllimi i “AppCamp Kosova” është që të iniciohet një proces i fuqishëm i përdorimit të internetit dhe zhvillimeve të aplikacioneve konkurruese mobile në shërbim të përmirësimit të imazhit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës në botë, përmes audiencës globale që shfrytëzon internetin”, tha Selimi.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, duke përshëndetur të pranishmit, ka folur për rolin e internetit në diplomaci por edhe në fushat tjera të jetës në botë, duke theksuar se Kosova duhet të rris vazhdimisht kapacitetet e shfrytëzimit të resurseve të internetit në avantazhin e saj.

Braathu tha se interneti dhe aplikacionet mobile po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme globalisht, duke vlerësuar se është e rëndësishme që Kosova të filloj nga këtu të kontribuojë në diplomacinë digjitale me qëllim të përmirësimit të imazhit në botë

“Qëllimi i këtij aktiviteti nuk është vetëm krijimi i aplikacioneve, por shfrytëzimi i tyre për të përcjellë një mesazh”, tha Ambasadori Braathu.
 
Më pas, në një panel të përbërë nga Zëvendësministri Petrit Selimi, eksperti dhe ndërmarrësi Kushtrim Xhakli si dhe përfaqësuesi i kompanisë “Rrota”, Shkumbin Brestovci e moderuar nga Çelik Nimani menaxher i trajnimeve ne ICK dhe njohës i fushës, është diskutuar për rolin e diplomacisë digjitale dhe format e shfrytëzimit sa më të mirë të saj nga Kosova.

Kushtrim Xhakli, ka folur për rolin diplomatik të lobimit të një personi apo kompanie në industrinë e teknologjisë informative në tregun ndërkombëtar

Xhakli ka folur nga përvoja e tij si ndërmarrës në këtë fushë, duke theksuar se duke përdorur kanalet brenda sistemeve organizative të industrisë është mundësia më e mirë, “mirëpo kjo duhet të jetë gjithmonë në sinkronizim me komunitetin online që e përkrah vazhdimisht këtë proces, e ndër të tjera në të shumtën e rasteve nevojitet edhe mbështetja e institucioneve në ndërmarrje të tilla”.

Ai ndër të tjera theksoi se tash është momenti kur të gjithë munden të kontribuojnë me punë konkrete dhe vazhdimisht të jenë të inkurajuar për mundësitë e mëdha në këtë fushë.

Ndërkaq, Shkumbin Brestovci, theksoi se ka kompetenca dhe vetëm kanë filluar disa bashkëpunime, “mirëpo për të qenë konkurrent në tregun ndërkombëtar na duhen ende reformime në sektor”.

Ndërsa, pas debatit është bërë prezantimi i aplikacioneve konkurruese për ndërtimin e aplikacionit më të mirë kosovar (iOS dhe Android), në katër kategori: Lajme dhe Informacione, Kulturë, Trashëgimi dhe Traditë, Turizëm dhe Ekonomi, Lojëra zbavitëse (“Games”)

Katër personave apo ekipeve të cilët do të fitojnë në këtë garë të dielën, do t’iu ndahet një shumë prej 3000 eurosh.

Po ashtu, dy personave nga ekipi fitues të përzgjedhur do t’iu mundësohet përfaqësimi i Kosovës në “Mobile World Congress 2012”, në Barcelonë.