Na ndiqni në:

Zevendësministri Selimi hapi konferencën për diplomaci kulturore

Prishtinë, 28 tetor 2013 - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, hapi sot konferencën me temë “Roli i kulturës në bashkëpunimin rajonal, promovimi i Ferizajt”. Kjo konferencë, punimet e së cilës organizohen në kuadër të projektit “Promovimi i rajonit të Ferizajt si qendër e ndërveprimit rajonal”, e mbajtur në Prishtinë, u organizua nga organizata joqeveritare “Etika” me seli në Ferizaj. Konferenca njëherit shënoi përmbylljen e programit treditor për projektin në fjalë.

Konferenca është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Këshilli Britanik dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.

Veç zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, z. Selimi, në mesin e panelistëve ishin edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, z. Jan Braathu, drejtoresha ekzekutive e Këshillit Britanik në Kosovë, znj. Arjeta Emra, deputeti i Kuvendit të Kosovës,  z. Elmi Reçica, dhe zëvendësministri i Kulturës, Hajdin Abazi,. Në mesin e të ftuarve ishin edhe mysafirë nga Polonia, Austria, Greqia dhe Turqia.

Z. Selimi hapi konferencën duke i falenderuar të pranishmit për pjesëmarrjen. Selimi tha se Ferizaj si kryeqendër e jugut të pjesës të pjesës qendrore të Kosovës gjithmonë është trajtuar me prioritet nga Qeveria e Kosovës. Selimi nënvizoi rëndësinë e diplomacisë kulturore, si “soft power”, ku qytetarët e rëndomtë hapin shtigje të reja të komunikimit në raste të barrierave në rrafshin politik. Ai shtoi se organizimi dhe arkitektura, por edhe bibliotekat e shumta publike dhe teatri professional, e bëjnë Ferizajn një qendër interesante kulturore për t’u vizituar.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, z. Jan Braathu, tha se interesi kombëtar ka rol përcaktues për një vend i cili synon të realizojë synime dhe ambicie të ndryshme, qofshin ekonomike apo kulturore. Ai tha se përmes diplomacisa kulturore shërbën më së miri për përpjekjet e një vendi të afirmohet globalisht dhe të krijojë kështu mbështetje të gjerë për përmbushjen e synimeve ekonomike dhe politike.

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Elmi Reçica, tha se Ferizaji gjithmonë ka qenë një qendër e pasur kulturore dhe se vazhdon të jetë qyteti i dytë më i zhvilluar pas Prishtinës. Z. Reçica theksoi se zhvillimi kulturor i një vendi është barometër që përcakton zhvillimin dhe emancipimin e tij.

Zëvendësministri i Kulturës, z. Hajdin Abazi, nënvizoi bukurinë e qytetit të vjetër të Ferizajt, i cili mund të krenohet me prejardhjen dhe traditat e veçanta. Një ndër faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Ferizajt është edhe ndërtimi i vijës hekurudhore (1873) dhe stacionit hekurudhor e cila i dha hov tregtisë dhe lirisë së lëvizjes.

Drejtoresha ekzekutive e Këshillit Britanik, znj. Arjeta Emra, tha se imazhi i një vendi ndërtohet  përmes të ndërtimit të urave të komunikimit, bashkëpunimit dhe shkëmbimit ndërmjet njerëzve. Znj. Emra tha se roli i qytetarëve të rëndomtë në vendosjen e komunikimit ndërmjet vendeve jorrallëherë është kyç marrë parasysh raportet e ndërlikuara ndërmjet shteteve të caktuara. Ajo shtoi se diplomacia kulturore është njëra nga mjetet më të mira për të promovuar vendin globalisht.

Dy ditët e para të konferencës ofruan një program të begatshëm për pjesëmarrësit, duke përfshirë diskutimet për marrëveshjen për përkrahjen e projektit “Promovimi i rajonit të Ferizajt si qendër e ndërveprimit rajonal”, një koncert klasik nga Kori i Qytetit të Ferizajt, vizita në qendrat kulturore dhe monumentet historike në rajonin e Ferizajt dhe një ekspozitë nga artistët e qytetit.