Na ndiqni në:

Kosova synon forma të ndryshme të bashkëpunimit me Amerikën Latine

Prishtinë, 27 shtator 2013 - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Kosovë dhe ambasadat e Britanisë së Madhe dhe të Norvegjisë, kanë bërë studime për raportet e disa shteteve të Amerikës Latine me Kosovën.

Përfaqësuesit nga Brazili, dhe Uruguai kanë qëndruar në Kosovë vitin e shkuar, për t’u njohur me vendin nga afër, kurse përfaqësuesi i Kilit erdhi në Kosovë për herë të parë.

Drejtoresha e Këshillit Britanik, Arjeta Emra, hapi punimet duke i përshëndetur të pranishmit, dhe theksoi se ideja e kësaj nisme ishte puna e përbashkët e aktorëve përkatës por edhe të pjesëtarëve të të gjithë sektorëve të shoqërisë në planet e veprimit për secilin shtet veç e veç. Ajo njoftoi mysafirët për angazhimin e Këshillit Britanik me partnerët e tij në promovimin e Kosovës në shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, përmes shkëmbimit të anëtarëve të Parlamentit të Kosovës me këto vende.

Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, tha se MPJ, së bashku me partnerët e saj, vazhdojnë të jenë të përkushtuar në aktivitetet lobuese me shtetet të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Si rezultat, tha Selimi, është botuar një libër me studimet e bëra për pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Selimi shtoi se synimi është që të gjenden forma të ndryshme të ndërveprimit dhe se si rezultat i studimeve të vazhdueshme, MPJ ka zgjeruar portofolin për promovimin e Kosovën përmes formave jotradicionale të diplomacisë të tilla si diplomacia digjitale.

Të tre mysafirët nga Amerika Latine thanë se është e rëndësishme që të realizohen vizita të anëtarëve të parlamenteve të tyre përkatës në Kosovë, të cilët më pas do t’i përcillnin gjetjet e tyre te qeveritë e tyre përkatëse.

Monica Grin, koordinatore e programit pasuniversitar, Historia Sociale, pranë Universitetit Shtetëror të Rio de Zhaneiros, profesoreshe e asociuar e Historisë Bashkëkohore dhe doktor i Shkencave Politike pranë Institutit Kërkimor të Universitetit të Rio de Zhaneiros në Brazil, tha se thelbi i politikës së jashtme të Brazilit mbështetet në nivelin e bashkëpunimit multilateral dhe se sovraniteti është një element shumë i rëndësishëm në diplomacinë braziliane. Ajo theksoi se “nisma për të mbrojtur” e OKB-së, e vitit 2005, sipas së cilës sovraniteti nuk është një e drejtë, por një përgjegjësi, hapi dyert për një qasje më fleksibile të Brazilit ndaj Kosovës. Një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Grim, apo edhe një rol më i theksuar i Brazilit si ndërmjetës në këtë proces, do të mund të përshpejtonte njohjen e Kosovës nga Brazili. Grim tha se duhet të bëhen shkëmbime ndërmjet Kosovës dhe Brazilit në fushën akademike, të medies, shkencave shoqërore, kulturës, turizmit, ekonomisë dhe marrdhënieve ndërkombëtare.

Oscar Bonilla përfaqësoi Uruguain. Ai është redaktor i fotografisë, ligjërues dhe artist vizual i cili ka ekspozuar në shumë vende të Evropës dhe në SHBA. Bonilla tha se politika e jashtme e Uruguait mbështetet në forcimin e organizatave multilaterale, dhe jo në rreshtim me shtete të caktuara. Ai theksoi se Uruguai e trajton çështjen e integritetit territorial përmes një interpretimi sovjetik, interpretim ky që Serbisë i shkon përshtati. Bonilla theksoi se nevojitet bashkëpunim kulturor ndërmjet Kosovës Uruguait, marrë parasysh historinë e begatshme të të dy vendeve, gjë që do të ndikojë në thyerjen e barrierave të cilat shpeshherë krijohen nga keqinformimi. Gjithashtu, tha Bonilla, shkëmbime duhet të bëhen edhe në fushën e arsimit dhe medies.
 
Roberto Duran, profesor dhe hulumtues në Institutin e Shkencave Politike pranë Universitetit Papnor Katolik të Kilit, një nga vendet më të fuqishme ekonomikisht të Amerikës Latine, tha se akademikët dhe profesionistët janë ata të cilët mund të japin kontribut të prekshëm në përhapjen e çështjes së Kosovës. Duran tha se mund të bëhen shkëmbime ndërmjet studentëve të Kosovës dhe Kilit, dhe se do të përkushtohet që në një të ardhme të afërt të mundësojë që dy studentë të rinj kosovarë të udhëtojnë për në Kili, ku do të përfitojnë nga përvoja të reja në fushën e diplomacisë bashkëkohore. Ai shtoi se mund të përdoren forma të ndryshme të promovimit të Kosovës përmes prezencës së organizatave gjermane por edhe të diasporës kroate dhe sllovene në Kili. 

Të gjithë të pranishmit u dakorduan për të përgatitur bashkërisht një strategji për planin e veprimit për hapat e mëtutjeshëm drejt sensibilizimit të opinionit në shtetet e Amerikës Latine për Kosovën.