Na ndiqni në:

MPJ organizon vizitën e deputetëve kosovarë në Sllovaki

Prishtinë, 5 mars 2013 – Sot, për në Bratislavë të Sllovakisë u nisën një grup prej 12 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një vizitë zyrtare të organizuar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë së Madhe, Ambasadën e Austrisë si dhe Këshillin Britanik.

Vizita është organizuar në kuadër të projektit “KS Talks EU” që synon rritjen e interaksionit në diplomaci publike, kulturore dhe parlamentare të institucioneve, aktivistëve dhe shoqërisë civilë kosovare me shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Zëvendësministri i Jashtëm Petrit Selimi vlerësoi se kjo vizitë është e rëndësishme sepse është garantuar një nivel i lartë i pritjes dhe ky lloj shkëmbimi hyn në thelb të diplomacisë publikë të Ministrisë së Jashtme.

Arjeta Emra nga Këshilli Britanik ka falënderuar deputetët për gatishmërinë që të bëhen pjesë e një projekti që synon rritjen e interaksionit të Kosovës me shtetet jo-njohëse, në kuadër të programit të zhvilluar nga Këshilli Britanik.

Deputetët do të takohen me partitë e ndryshme sllovake, me liderët e Qeverisë dhe opozitës, me Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Sllovakisë, me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Miroslav Lajcák, me grupin e eurodeputetëve të udhëhequr nga Eduard Kukan si dhe me pjesëtarë të shoqërisë civile dhe mediave. Synimi është të rritet interaksioni dhe njohja e dyanshme e proceseve në të cilat po kalon Kosova si dhe sigurimi i përkrahjes së mëtutjeshme të Sllovakisë në proceset integruese evropiane të Kosovës.

Vizita e deputetëve, në të cilën janë të përfaqësuar të gjitha partitë politike në pozitë dhe opozitë, bëhet në një moment kur Kosova ka zhvilluar lëvizje pozitive në komunikimin me Sllovakinë, prej vizitës së ministrit Hoxhaj në Bratislavë e deri tek ekstradimi i personave të kërkuar në Sllovaki nga organet e ligjit të Kosovës.

Gjatë vizitës në Sllovaki, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, ministri Hoxhaj, ka takuar Miroslav Lajcák, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, deputetë të Parlamentit të Sllovakisë si dhe shumë përfaqësues të shoqërisë civile e jetës akademike në Bratislavë.

Projekti “KS Talks EU” tashmë ka mundësuar shkëmbimin e mbi 150 diplomatëve, gazetarëve, aktivistëve dhe deputetëve nga Kosova me pesë shtetet e BE-së në 18 muajt e fundit, ndërsa këtë vit ka dërguar një delegacion të shoqërisë civile në Greqi dhe Rumani, ndërsa priten edhe vizita të tjera në këto shtete.