Na ndiqni në:

Fjalimi i Zëvendës-Kryeministrit të Parë dhe Ministrit të Jashtëm në ceremoninë e shpalljes së fituesve të çmimeve për fotografitë dhe shkrimeve më të mira për promovimin e Kosovës gjatë vitit 2017

Kosova, ashtu siç është

Behgjet Pacolli* E bukur. E pasur. E re. Ky është trinomi i Kosovës. Kosovës natyrale, ashtu siç është. Sot, shumë vende nuk i kanë bukuritë e saj natyrore. Disave i mungojnë pasuritë. E të tjerat po plaken.

Por, ky vend duket se ka probleme me imazhin. Imazhin që i krijuan të tjerët dhe branding që nuk e ka. Narracioni për të nuk është në nivelin e duhur. Dashuria në zbehje.

Pse-në e vërtetë e kësaj nuk e di as unë. Atë që di, ndiej dhe më mësoi gjyshi është se dashuria dhe malli për vendin nuk shuhen kurrë. Kudo që mund të shkoni. Ngado që do jeni. Nga Evropa në Amerikë. E nga Amerika në Japoni e Australi.

Ju mund të insistoni të më pyesni për pse-në e imazhit që nuk e duam, por unë vetëm mund të supozoj. Të supozoj se shkaktarët mund të kenë ardhur nga ata, që nuk kursyen mjet për minimin e ekzistencës së shtetit të ri dhe për fat të keq edhe nga politika e brendshme, që vetëm se dërgoi ujë në lugun e mullirit të parëve.

Por, sot nuk do të merrem me analizën e shkaqeve dhe pasojave. Ashtu siç nuk do të pyes për të bëmat e të tjerëve. Thjeshtë, do të shpalos projektet se çka kemi bërë ne gjatë këtyre 100 ditëve dhe çka po synojmë të bëjmë në të ardhmen e afërt? Së bashku me Ju. Media e gazetarë, analistë e profesionistë, studiues e shkrimtarë, artistë e sportistë.

Mua, përvoja nga biznesi më ka mësuar se “pak është shumë” dhe në frymën e kësaj filozofie mendimi ne e nisëm punën për promovimin e një imazhi sa më të mirë dhe frymëzues për vendin. Ju e dini se unë nga natyra nuk jam politikan. Unë, thjeshtë jam një ndërmarrës me kredenciale ndërkombëtare, që ju futa politikës për ta bërë ndryshimin. Ndryshimin për të mirën e këtij vendi. Për rregullin që na mungon. Detajet që nuk i shohim. Përpikshmërinë që e duam. Unë edhe nga ana emocionale jam i përpiktë. Më pëlqen çdo gjë të jetë në rregull. Shoh çdo detaj edhe kur jam duke ecur.

Nga përvoja ime jetësore, kudo që kam shkuar dhe kam parë ndonjë shenjë apo gjurmë të Kosovës kjo më ka prekur shumë. Imagjinoni fuqinë që ka një fotografi apo thënie e bukur. Në veçanti për atë që Ju e keni në zemër. Atë që ju e doni e jeni i lidhur. Atë që shpirti Juaj e do. Kjo është fuqia e Diplomacisë Publike. Kjo është fuqia e PR-it. Këto fotografi dhe shkrime janë bërë për njerëzit që e duan Kosovën. Për të gjithë ata që janë sonte këtu. Të tjerët që nuk janë, por do t’i shohin. Gjithandej në botë, ku Kosova ka miq. Aty ku janë njerëzit e Kosovës. Holle të tjera të Institucioneve me rëndësi dhe ndikim.

Këtë projekt ne e nisëm menjëherë pasi që pranova detyrën time zyrtare dhe nuk u ndalëm për asnjë moment. Secili kontribut dhe angazhim sado i vogël që Ju keni dhënë deri më tash me të vërtetë ka qenë me vlerë të madhe për ne. Pranuam shumë thirrje: nga kryeredaktorë e gazetarë, fotografë e artistë e shumë njerëz të vullnetit të mirë.

Ne përfunduam edhe ueb-faqen e re kosovoabc.com, që do ta prezantojmë sot. Diçka që i ka munguar vendit tonë dhe e cila do të përmbajë informata të azhurnuara dhe fotografi në kategorinë e atraksioneve turistike natyrore, muzikës, sportit, filmit, historisë, ekonomisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemit politik, kuzhinës tradicionale dhe intervistave me ndërkombëtarët, që jetojnë apo kanë investuar në vendin tonë.

Themeluam faqen e re në Wikipedia. Jemi në themelim e sipër të Grupit të Përdorimit në Wikimedia. Kemi nisur bisedimet për jetësimin e idesë tonë të projektit të jashtëzakonshëm Virtual Kosovo. Kemi menduar, që ta zhvillojmë edhe një aplikacion me informata dhe fotografi mbi Kosovën.

Por, për t’i shtyrë ato që janë nisur e për t’i përfunduar më shpejtë ato që po punojmë, ne kemi nevojë për zgjerimin e partneritetit dhe bashkëpunimit me Ju.

Sot, llogaritet se më shumë se 50 për qind e popullsisë së botës e shfrytëzon internetin, përderisa parashikimet tregojnë se do të ketë mbi 6.1 miliardë telefona të mençur deri në vitin 2020 ose 70 për qind e popullsisë botërore.

Duke marrë parasysh këto trende globale, ne duam, që së bashku me Ju të shkojmë përtej mjeteve të “fuqisë së butë dhe të mençur” dhe të orientojmë dhe edukojmë gjeneratat e reja për ndërtimin e një Kosove të re, ku shoqëria e jonë nuk është vetëm konsumuese e informacionit për vendin tonë, por, prodhuese e tij.

Kosovës ia kemi borxh që t’ia prezantojmë më së miri bukuritë e saj natyrore, ashtu siç i ka falur Zoti. T’i promovojmë trashëgiminë e pasur, ashtu siç u ndërtua nëpër shekuj. Kulturën, ashtu siç ditën ta ruajnë e zhvillojnë shumë breza. Sportin që na bëri krenar të gjithë. Dhe, yjet tona të muzikës që i adhuron dhe i dëgjon e gjithë bota.

Ju faleminderit!

*Ky fjalim i Zëvendës-Kryeministrit të Parë dhe Ministrit të Jashtëm, z. Behgjet Pacolli, u mbajt me rastin e shpalljes së fituesve të çmimeve për fotografitë dhe shkrimet më të mira për promovimin e Kosovës në vitin 2017, ceremoni kjo që u mbajt në Muzeun Kombëtarë, e shoqëruar më pas edhe me Ekspozitë.  

Zëvendësministri Dedaj: Arbëreshet janë krenaria heroike e Arbërisë!Bashkia e Kukësit nderon Ministrin e Jashtëm Pacolli për kontributin e tij gjatë luftës dhe vizionin për krijimin e Hapësirës së Përbashkët Ekonomike KombëtareDeklaratë e MPJ-së në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian mbi KosovënDeklaratë për media