Na ndiqni në:

Fjalimi i ZvKM/MPJ z. Behgjet PACOLLI

/I nderuar Kryeminstër Rama, I nderuari Kryeministër Haradinaj,
Të nderuar kolegë
Është kënaqësi e madhe për mua si qytetar nderi i Korçës të gjendem, së bashku me ju, në Qytetin e Rilindjes Kombëtare në takimin e radhës tashmë tradicional ndërmjet dy qeverive tona.

Jam shumë i lumtur se ideja udhërrëfyese e Arbër Xhaferit të ndjerë që unë e artikulova për herë të parë si President në Parlamentin e Shqipërisë në 2011, me këmbënguljen e kryeministrit Rama, me stilin e tij, dhe tash me energjitë e kryeministrit tim Haradinaj, po mundësohet në Korçën e Niko Peleshit dhe në Korçën time.

Kam provuar ndjesi të përziera për Kombin nga Korça ku në vitet 80, kam sjellë makineri për një fabrikë trikotazhi dhe sot kam sjellë një qeveri. Ndaj mos prisni të them patjetër fjalë miradie për gjendjen ku jemi si dy shtete, dhe si komb, ndaj gjeta, një paralele historike në fjalët gegërisht të Patër Anton Harapit, në Korçë në vitet 30:

Jeta mendore ndër ne ende nuk e ka qarkullimin e duhur ; e në atë mënyrë si në një organizëm kur nuk rrjedhë gjaku fjollë anë e kand nder të gjitha gjymtyrët, jeta asht e cungueme, as s’ka si e ban njisinë përkitese, e ashtu disinteresimi i shqyptarëve për Shqypninë përgjithësisht, e i krahinës për krahinë, i qytetit për qytet veçanërisht, nuk lën të rrjedhë jeta kombëtare gjithkund e njajtë, e gjallë ndër të gjitha anët e ndër të gjithë banorët e Shqypnisë.

Hajde ta rrisim jetën tonë mendore:

Hajdeni të nderuar kolegë, të përshpejtojmë qarkullimin e gjakut tonë kombëtar që ta bëjmë njësinë përkatëse, të rrisim interesimin e qytetarëve për Shqipërinë dhe Kosovën, të krahinës për krahinën, që jeta kombëtare të rrjedhë gjithkund e njëjtë, gjithkund e gjallë.

Qyteti im i dytë, Korça, i Nikos, i kryebashkiakut tim Sotiraq, Korça e Edit ku ai kalon shumë kohë na frymëzon të gjithëve. Ndaj kur propozova që Mbledhja të bëhej në këtë vatër të qytetërimit kombëtar, që ka ndihmuar aq shumë kosovarët në vitin 1999, Edi e pranoi idenë time menjëherë. Nuk ka asgjë kërcënuese për askënd në këtë mbledhje tonën të përbashkët: në Korçën Kombëtare dhe Kozmopolite: shumë shpejt do ta kemi dhe Mbledhjen me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në lojën rajonale, kontinentale dhe globale, ne do bashkëpunojmë me fqinjët, me ata që na duan, me të ngjashmit, me ata që na intereson më shumë.

Korça e rilindasve, e bashkëjetesës fetare, ndëretnike, e bujqësisë cilësore, e tregëtoreve ballkanike, etj, të nxit kësisoj për bashkëpunim kombëtar, por dhe për bashkëpunim rajonal.

Prej fëmijërisë, prej udhëtimeve të shumta në botë, prej ndërtimit, unë kam përfytyrime të mira gjeografike, apo gjeopolitike nëse doni:

unë e shoh Korçën, si epiqendra zhvillimore në bujqësi, në tregëti, në turizëm, në jetën akademike në trekëndëshinn Shkup(pra dhe Prishtinë), Tiranë, Selanik.

Është krejt e qartë se krijimi i realiteteve ekonomike të përbashkëta e fizibël midis Kosovës dhe Shqipërisë, e hapur për rajonin, me

• holdingje publiko private në hekurudha,
• në autostrada,
• në shëndetësi,
etj, thjesht rrisin konkurencën në rajon, e si pasojë
• rrisin cilësinë,
• rrisin mirëqenien e qytetarëve.

Nga këto realitete ekonomike të përbashkëta në bujqësi posaçërisht, dhe Korça ka traditë të shkëlqyer, ndoshta konkurentët duhet të shqetësohen, po ky s është derti ynë.

Prej kësaj Mbledhjeje, unë dua të them:

Mjaft me monopole,
me pozita dominante në treg prej atyre vendeve që bëjnë viktimat në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërkohë që kontrollojnë importet tona bujqësore, kontrollojnë energjitikën tonë.
Ne duam konkurencë,
ne duam eficiencë,
ne duam cilësi,
ne duam mirqenie për të gjithë.

Nëse ne jemi një gjuhë, një traditë, ne nuk mund ta fshehim këtë epërsi në bashkëpunimin rajonal.
Modeli nordik, modeli i Bashkimit Europian është modeli më i përsosur që i shkon marrëdhënieve tona, që potencon njëmendësinë tonë kombëtare.

Bashkëpunimi ynë është në shërbim të qytetarit, në shërbim të paqes,
sepse ne jemi mendje të hapura,
se ne dimë dhe gjuhë të tjera të rajonit,
se ne dimë gjuhën e perëndimit dhe të perëndisë.
Nuk është faji ynë se Perëndia i vendosi shqiptarët në vendin e duhur, dikur i copëtoi dikush dhe tash
me ndihmën e perëndimit, shqiptarët duhet të respektohen.
Nuk është faji ynë pse sot në kohën e lirisë, ne po punojmë për atë që një ideolog i viteve 30, që vinte nga Gjirokastra, e quante njëmendësia kombëtare.
Si ministër i jashtëm jam shumë i lumtur që në vijim të bashkëpunimit për njohjet e shtetit tonë, të konsoliduar dhe me paraardhësit e mi, po shkojmë tek një hap tjetër:
-seli të përbashkëta,
përfaqësim i përbashkët,
alternim i përfaqësimit-ku jeni ju, jemi ne (vendet që nuk na kanë njohur)dhe
ku jemi ne, do jeni dhe ju. (ne jemi në Australi,Senegal, etj) dhe ne do ju përfaqsojmë.
Shqipëria dhe Kosova gjithashtu duhet të dakordojnë masat dhe veprimet për të ndihmuar shqiptarët në rajon për realizimin e të drejtave të tyre themelore dhe legjitime sipas Konventave europiane,
për t’a kyçur fuqinë ekonomike dhe intelektuale të diasporës tonë të madhe.
Marrëveshjet për diasporën që po nënshkruajmë sot janë edhe në këtë funksion.

Kosova duhet të trajtohet palë krejtësisht e barabartë në rajon dhe faza përfundimtare e dialogut me Serbinë, do ta rrumbullakësojë këtë proces, sepse do të kulmojë doemos me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Ju faleminderit!


 

Editorial: A ka një vend tjetër afër Italisë, ku fjala Paqe mund të tingëllojë më fort se Kosova? Nga Behgjet Pacolli, ministër i jashtëm i KosovësPacolli në Samitin e Londrës, flet për rëndësinë e bashkëpunimit të rinisë dhe përmirësimin e perspektivës së tyreZv/Kryeministri Pacolli në Samitin e Londrës: Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ka sjellur rezultate, është koha për Marrëveshje përfundimtareDeklaratë e Ministrit të Jashtëm, z. Behgjet Pacolli, në lidhje me lajmet e rreme dhe propagandën serbe