Na ndiqni në:

Promovimi i turizmit – prioritet i diplomacisë

Prishtinë, 27 shtator 2017 – Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), kanë organizuar Konferencën “Diplomacia dhe Turizmi”. Qëllimi i kësaj konference ka qenë prezantimi i mundësive për promovimin e turizmit të Kosovës përmes diplomacisë, si dhe hapja e diskutimit për kapacitetet e Republikës së Kosovës në fushën e turizmit.

Bajram Hasani, ministër i Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka folur për rolin e turizmit në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe prioritetet e MTI-së në zhvillimin e këtij sektori. “Kosova synon që të anëtarësohet në Organizatën Botërorë të Turizmit dhe besojmë se është momenti i duhur që edhe Kosova të jetë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme, sikurse edhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka thënë ministri Hasani, ndërkohë ka shtuar se potenciali dhe mundësitë e Kosovës janë konkurrente.

Drejtori i përgjithshëm në MPJ, Albert Prenkaj ka folur për rolin e MPJ-së në promovimin e turizmit. Ai ka theksuar se nga perspektiva e politikës së jashtme, turizmi duhet të shihet edhe si pjesë e rajonit. “Në politikën e jashtme, diplomacia ekonomike është një nga prioritetet e para. Me ardhjen e Qeverisë së re dhe ministrit të ri të jashtëm, diplomacia ekonomike ka marrë rëndësi të veçantë”, ka thënë Prenkaj.

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa ka folur për aktivitetet e kësaj agjencie. “KIESA ka mbështetur kompani të shumta në promovimin e turizmit vendor”, ka thënë Mustafa duke shtuar se megjithatë, turizmi ka nevojë për një përkrahje shumë më të madhe.

Valbona Dushi nga MTI ka folur për potencialin e Kosovës në turizëm, duke përmendur edhe statistika rreth vizitorëve. “Numri i turistëve të jashtëm dhe vendor është duke u rritur, rreth 15-20 për qind çdo vit”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, drejtori i Departamentit për Diplomaci Ekonomike në MPJ, Gyner Ureya ka thënë se diplomacia e turizmit është e lidhur ngushtë edhe me diplomacinë publike, ekonomike, të kulturës, etj. “Turizmi ndikon edhe në imazhin e shtetit”, ka thënë Ureya. Ai ka folur edhe për rolin e misioneve diplomatike të Kosovës nëpër botë sa i përket promovimit të turizmit.

Në panelin diskutues ka marrë pjesë edhe Rrustem Abiti nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK). Ai ka vlerësuar se Kosova ka burime të mjaftueshme për zhvillimin e turizmit, për çka ka kërkuar nga Qeveria që ta ketë në konsideratë këtë sektor.

Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Japoni, Leon Malazogu ka folur për përvojën e tij në promovimin e turizmit të Kosovës në Japoni. “Përveç vlerave tjera, turizmi llogaritet si pararendës i investimeve”, ka thënë Malazogu, duke shtuar se promovimi i turizmit si vegël e diplomacisë, tashmë është vënë ndër prioritetet kryesore.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe institucione të tjera, organizata dhe kompani që përkrahin turizmin. 

Ambasadori Beqë Cufaj dorëzoi Kredencialet tek Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter SteinmeierDrejtori i Përgjithshëm, Albert Prenkaj takoi deputetin nga Australia, Chris CrewtherSekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Fitim Sadiku, takoi zyrtaren e lartë gjermane, Kerstin Zielosko-Labonte, diskutohet për bashkëpunimin reciprok Ministri i Jashtëm Pacolli priti homologun maqedonas Dimitrov, marrëdhëniet në mes dy vendeve shembull i bashkëpunimit në rajon