Na ndiqni në:

Murtezaj: Kosova e interesuar për të krijuar ambient të përshtatshëm për investime të jashtme

Prishtinë, 3 prill 2017 – Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës sot ka filluar punimet dyditore sesioni i parë i Komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik Kosovë-Hungari.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj duke kujtuar se ky takim është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të të dyjave shteteve për të thelluar bashkëpunimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Hungarisë, ka theksuar se ky sesion konfirmon përkushtimin e vendeve për të çuar përpara idetë dhe vizionet, si dhe për të përkrahur iniciativat zhvillimore të vendit.
“Si shtet i ri ne kemi bërë progres të mirë, kemi avancuar në shumë fusha. Natyrisht kemi sfida po ashtu. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të bëjë  të gjitha reformat e duhura për t’u bërë pjesë e Evropës. Për të krijuar ambientin e përshtatshëm për investime të jashtme dhe për ta bërë klimën më të lehtë për të bërë biznes në Kosovë”, ka deklaruar zëvendësministri Murtezaj.
Ndërsa ka shtuar se “vizioni i Kosovës është paqja dhe zhvillimi: është dialogu dhe bashkëpunimi. Ne jemi të përkushtuar për rrugën evropiane të integrimit. Evropa nuk është e kompletuar pa Kosovën”.

Nga ana tjetër, ministri i shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme i Hungarisë, Levente Magyar duke vlerësuar takimin të rëndësisë së veçantë bëri thirrje për thellim të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, derisa ka përmendur bashkëpunimin aktual që e kanë Kosova dhe Hungaria.

“Kemi shumë të arritura së bashku si dy vende, dhe qeveritë tona komunikojnë mes vete shumë mirë.  Arritje tjetër që duhet përmendur janë edhe fluturimet direkte dy herë në javë Prishtinë -Budapest me kompaninë  Wizzair, pastaj kemi arritur marrëveshjen për një kredi 62 milion si kredi e butë,  me normë zero për qind interes për investimin e projekteve infrastrukturore, energji, sport, transport dhe në menaxhimin e ujërave.  Po ashtu kemi 50 studentë nga Kosova që çdo vit vazhdojnë studimet në Hungari”, ka deklaruar Magyar.

Në kuadër të punimeve të këtij komisioni janë paraqitur edhe prezantime nga përfaqësues të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe të Odës Kombëtare të Tregtisë së Hungarisë përmes të cilave janë ftuar investitorët hungarezë të investojnë në Kosovë. Komisioni i përbashkët ndërshtetëror është rezultat i bashkëpunimit të thellë ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë që ka rezultuar me nënshkrimin e shumë marrëveshjeve në mes dy shteteve. Punimet e komisionit do të vazhdojnë nesër.

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Pacolli dënon sulmin e ulët dhe qyqar në LondërZëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Pacolli dënon gjuhën e përdorur anti-semitiste në KosovëZv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Pacolli takon homologun e tij nga Armenia, Sh.T.Z.,Eduard NalbandyanSqarim lidhur me intervistën e Zv/Kryeministrit të parë dhe Ministrit të Jashtëm, z.Behgjet Pacolli dhënë mediumit zviceran SRF