Na ndiqni në:

Hoxhaj: Gjermania, partner strategjik në rrugën evropiane të Kosovës

Berlin, 2 mars 2014 – Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ftuar nga Instituti i Evropës Juglindore në Berlin ka mbajtur një ligjëratë me temën “Kosova, Evropa Juglindore dhe Gjermania”.

Para shumë akademikëve, politikanëve dhe personaliteteve të shquara në Gjermani, Hoxhaj ka shtjelluar procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe rolin e Gjermanisë në sigurimin e perspektivës evropiane për shtetet e Evropës Juglindore.

Ai po ashtu ka folur për procesin e njohjeve e forcimin e shtetësisë së Kosovës, dhe mbështetjen e shteteve kryesore partnere për Kosovën.

Ministri Hoxhaj theksoi angazhimet aktuale të Kosovës, duke bërë të ditur se agjenda kryesore e Republikës së Kosovës është integrimi në BE.

Duke folur për miqësinë e ngushtë me Gjermaninë, Hoxhaj ka theksuar se ajo bazohet në disa momente historike, të cilat kanë qenë përcaktuese dhe të cilat Berlinin e kanë shndërruar në adresën më të rëndësishme politike të Kosovës në Evropë.

“Ka dy momente, të cilat janë treguesit më të mirë pse Kosova ka marrëdhënie kaq miqësore me Gjermaninë. Momenti i parë na kthen në vitin 1999, ku Gjermania për herë të parë merr pjesë në një aksion ushtarak kundër Serbisë, në kuadër të forcave të NATO-së, për të parandaluar gjenocidin dhe dëbimin masiv”, tha Hoxhaj.

Ai ka shtuar se momenti tjetër përcaktues është kur kancelarja Angela Merkel vizitoi Beogradin në gusht të vitit 2011, ku për herë të parë propozoi hapa konkret për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Gjermania, siç u shpreh Hoxhaj, tani është bërë një aktor shumë i rëndësishëm për Evropën Juglindore dhe Kosovën, e cila mbështet dhe promovon zhvillimet pozitive.

“Për mua zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk është zgjerim, por konsolidim i saj. Natyrisht se duhet bërë punë shumë e madhe për të arritur rikthimin në Evropë. Dhe në rrugën evropiane, Berlini mbetet adresa më e rëndësishme politike e vendit tim, Kosovës”, ka theksuar Hoxhaj, para 200 pjesëmarrësve në këtë ligjëratë.

Ai është ndalur edhe tek bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe fqinjëve të saj, duke përmendur tri caqe.

“Njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet e Evropës Juglindore. Së dyti është anëtarësimi në iniciativa dhe organizata rajonale, të cilat promovojnë bashkëpunimin fqinjësor. Së treti, zhvillimi dhe mbajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore me shtetet në rajon”, ka thënë ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. 

Zëvendësministri i Jashtëm Anton Berisha në Vatikan takon Antoine CamilleriMinistri i Jashtëm Pacolli dënon aktin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver IvanoviqMinistri i Jashtëm Pacolli në Emirate të Bashkuara Arabe, flet për shtet-ndërtimin dhe ndërlikimet në diplomaciMinistri i Jashtëm Pacolli pritet nga udhëheqësit më të lartë të shtetit të Iowa-s në ShBA, merr njohje të veçantë në Dhomën e Përfaqësuesve