Na ndiqni në:

Kosova dhe Tajlanda do të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat

Bangkok, 6 maj 2012 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të vizitës në Tajlandë ka zhvilluar shumë takime me përfaqësues të Qeverisë së Mbretërisë së Tajlandës, shoqërisë civile dhe me shumë diplomatë dhe përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Një takim të veçantë, ministri Hoxhaj e ka zhvilluar me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Tajlandës, Jullapong Nonsrichai.

Ministri Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Mbretëria e Tajlandës dhe nga shtetet tjera të Azisë.

“Procesi i njohjes së Republikës së Kosovës është i pakthyeshëm. Me njohjen e Kosovës, Mbretëria e Tajlandës dhe shtetet tjera të Azisë do të kontribuojnë në paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan dhe Evropë”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër zëvendësministri Nonsrichai ka siguruar ministrin Hoxhaj se shumë shpejt të dy vendet do të lidhin marrëdhënie diplomatike.

Në këtë takim është diskutuar edhe për fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe Qeverive në të ardhmen.

Një takim tjetër, ministri Hoxhaj ka zhvilluar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të Medieve, ambasadorë dhe shumë personalitete të jetës politike dhe publike të Tajlandës.

Ministri Hoxhaj ka informuar ata për zhvillimet në Kosovë, për shtetndërtimin dhe për përpjekjet e Kosovës për të përmbyllur procesin e njohjes së pavarësisë.

Para tyre, ministri Hoxhaj ka folur edhe për mundësitë e shumta që ofron Republika e Kosovës për investime të huaja.

“Republika e Kosovës ka politika fiskale shumë të favorshme për investime të huaja, kemi një infrastrukturë ligjore që është moderne, kemi popullatën me të re në Evropë, që shërben si fuqi e kualifikuar punëtore”, ka theksuar Hoxhaj, duke u bërë thirrje investitorëve tajlandezë të investojnë në Republikën e Kosovës.

Nga ana tjetër, ata kanë siguruar ministrin Hoxhaj se do të nxisin bashkëpunimin bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Tajlandës, bashkëpunimin ekonomik, arsimor dhe kulturor. Hoxhaj në fund ka ftuar ata që të vizitojnë Republikën e Kosovës.

Një ditë më parë, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtëm të Mbretërisë së Tajlandës, Surapong Tovichakchaikul, ministri Hoxhaj ia ka dorëzuar kërkesën zyrtare për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Mbretërisë së Tajlandës.
 

Bashkia e Kukësit nderon Ministrin e Jashtëm Pacolli për kontributin e tij gjatë luftës dhe vizionin për krijimin e Hapësirës së Përbashkët Ekonomike KombëtareVijon vizita e ministrit të jashtëm të Kosovës në Sofje: takim me shefen e Komisionit të Politikës së jashtme të Kuvendit të Bullgarisë dhe pjesëmarrje në Forumin e Odave të Tregtisë dhe Industrisë së dy vendeveMinistri i Jashtëm Pacolli dënon sulmin vetëvrasës në Kabul që raportohet se mori jetën e më shumë se 31 personaveSqarim për media