Na ndiqni në:

Ministrat Hyseni dhe Shala i janë drejtuar Grupit Drejtues Ndërkombëtar

Sot, në Bruksel, në një seancë të veçantë, ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, dhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala i janë drejtuar me nga një fjalë Grupit Drejtues Ndërkombëtar. Ministri Hyseni ka folur për proceset në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, me theks të veçantë te siguria, procesi i njohjes dhe përgjithësisht për politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

Bruksel, 21 nëntor 2008

Po ashtu, ministri Hyseni ka folur lidhur me mendimin e kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai ka shprehur bindjen se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në gjykimin e saj do të jetë plotësisht e paanshme. Ai ka theksuar se Kosova beson se do të rikonfirmohet pozita e saj. "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces është i pakthyeshëm", ka theksuar Hyseni para Grupit Drejtues Ndërkombëtar. Pikë e rëndësishme në fjalën e tij ishte kërkesa dhe nevoja për rikonfigurin e UNMIK-ut dhe shtrirjen e shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Ai ka theksuar që rikonfigurimi i UNMIK-ut nuk po ecën me shpjetësinë që kemi dëshiruar ne. "EULEX-i duhet të jetë i pranishëm në tërë Kosovën sa më parë që të jetë e mundur, për të ndihmuar dhe për të mbikëqyrur realizimin në terren të Planit gjithpërfshirës të presidentit Ahtisari", ka theksuar Hyseni. Ai ka ripërsëritur se EULEX-i është ftuar nga presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që më 17 shkurt 2008, gjë që është ripërsëritur në muajin gusht nga presidenti i Kosovës. Ministri Hyseni ka ripërsëritur se bazë e mjaftueshme për vendosjen e EULEX-it në gjithë Kosovën është Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta, plani i përbashkët aksional i Bashkimit Evropian dhe natyrisht Pakoja gjithpërfshirëse e presidentit Ahtisari. E gjithë kjo e bën shumë të qartë mandatin që ka EULEX-i. Sa u takon gjashtë pikave të negociuara ndërmjet OKB-së dhe Serbisë, ministri Hyseni ka thënë se, Prishtina i konsideron si problematike dhe joracionale, prandaj edhe janë refuzuar. Ai theksoi se "ruajtja e karakterit unitar dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës është e domosdoshme dhe e pazëvendësushme dhe ka ftuar shtetet që përbëjnë Grupin Ndërkombëtar Drejtues që kjo të respektohet". Në fund të fjalës së tij Hyseni ka ripërsëritur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të për vendosjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Ministri i Jashtëm i Kosovës është siguruar nga përfaqësuesit e shumë vendeve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar se karakteri unitar i Kosovës si dhe integriteti territorial i saj do të ruhet. Përkushtimin për të ruajtur karakterin unitar dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës e kanë shprehur shumë qartë përfaqësuesit e Turqisë, Francës, Gjermanisë, SHBA-së, Austrisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Suedisë etj. Ndërsa ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, në fjalën e tij u përqendrua te buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2009, procesi i privatizimit dhe shfrytëzimi i donacioneve të zotuara në konferencën e donatorëve. Ministri Shala ka folur edhe për përpjekjet që Qeveria e Republikës së Kosovës po bën për të patur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, disiplinë fiskale dhe buxhetore.

Drejtori i Përgjithshëm, Albert Prenkaj takoi deputetin nga Australia, Chris CrewtherTelegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të znj, Sadije Agani, bashkëshortes së akademikut, Fehmi AganiZëvendësministri Hoti priti në takim sekretarin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, Mahmuti SkënderiSekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Fitim Sadiku, takoi zyrtaren e lartë gjermane, Kerstin Zielosko-Labonte, diskutohet për bashkëpunimin reciprok