Na ndiqni në:

“Borders Without Borders” e Alban Mujës, këtë javë prezantohet në Slloveni

Prishtinë, 26 shtator 2017 - Artisti kosovar Alban Muja çon inspirimin e tij artistik në Slloveni. Nga data 28 shtator, Muja do të jetë pjesë e ekspozitës “Utopia/Dystopia – Architecture, City, Territory” e cila do të hapet në Ljublanë, në Mestna galerija Ljubljana. Muja për KultPlus ka treguar se puna e tij më e re, “Borders Without Borders”, do të jetë pasaporta e tij artistike e prezantuar në ekspozitë.

“Borders Without Borders” është ende projekt në proces, që ka filluar vitin e kaluar dhe ende nuk ka mbaruar. Projekti përbëhet nga 12 fotografi të objekteve kufitare të zonës Schengen. Sot, këto ndërtesa kanë mbetur “të braktisura”, ngjashëm me mënyrën se si ndarjet kufitare ndër shtetet e BE-së kanë vepruar që të ekzistojnë.


Megjithatë, duke vazhduar me praninë fizike, duke na kujtuar për një ndarje të kaluar që nuk ekziston më, këto ndërtesa gjithashtu ngrenë pyetje se çfarë funksioni tjetër mund të kenë ose të luajnë në të ardhmen. Vetë artisti vjen nga një vend, ku ende ekzistojnë ndërtesat funksionale të kufirit dhe liria e lëvizjes është e kufizuar. Artisti ka zgjedhur të fotografojë ndërtesat e braktisura të kufirit, në shtetet anëtare të BE –së dhe të nxisë pyetje rreth vërtetësisë së ekzistencës ose mos ekzistimit të kufijve midis këtyre shteteve.


Vahram Aghasyan, Ovidiu Anton, Dušica Dražić, Thibaut Espiau, Anna Friz, Anne Harild, Minna Henriksson, Kud Obrat (Stefan Doepner, Urška Jurman, Polonca Lovšin, Apolonija Šušteršič), Tanja Lažetić, Ivan Moudov, Géraldine Py & Roberto Verde, Maruša Sagadin, Miha Štrukelj, Efrat Vital dhe Matej Andraž Vogrinčič janë artistët tjerë që do të zbarkojnë në hapësirën ekspozuese për të plotësuar ekspozitën.


“Utopia/Dystopia – Architecture, City, Territory” do të ekspozojë punën e artistëve e cila lidhet me arkitekturën urbane, që nisë me hulumtimet e proceseve ndërtimore, strukturat arkitektonike, lidhja mes njeriut dhe arkitekturës dhe hapësira si fenomen. Disa artistë merren me fuqinë – si në aspektin e krijimit të ligjeve, e të tjerë në ekspozitë ‘festojnë’ një kontinent pa monumente dhe kontroll kufitare.


Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 12 nëntor. Artistët në ekspozitë kanë qenë fituesit e programit Artist in Residence në CC Tobacna ndër vite.

Burimi:http://www.kultplus.com/arti-pamor/borders-without-borders-e-alban-mujes-kete-jave-prezantohet-ne-slloveni/

“The Times”: Elbenita Kajtazi, fëmija i luftës që këndoi për ta mposhtur frikënBlick promovon bukuritë e Kosovës, publikon pamje fantastike nga maja e Gjeravicës“With a Cup of Sugar” nëpër SHBA me të vërtetën për KosovënN-ja çon në Londër rrëfimin për NEWBORN-in