Na ndiqni në:

Fjala e SH.T. Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

E nderuara Presidente,
Të nderuar Shkëlqesi, anëtarë të Këshillit të Sigurimit,



Jam i lumtur që mund të raportoj sot para jush për progresin që është shënuar së fundi në Kosovë, shtetin më të ri që sot njihet nga shumica e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Fillimisht, më lejoni të falënderoj Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Farid Zarif, për angazhimin e tij të deritashëm në Kosovë.

Ai përfaqësoi OKB-në në përputhje me situatën e re që ka evoluar pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë sonë, si dhe pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator 2010, e cila një herë e përgjithmonë mbylli çështjen e statusit të Kosovës duke i hapur rrugë fillimit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, gjithashtu i uroj mirëseardhje në misionin e tij në Kosovë z. Zahir Tanin. Afganistani ka qenë ndër vendet e para në botë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe mbase vetëm minutat mund ta kenë ndarë nga Kosta Rika, prandaj mendoj se është mjaft e qëlluar që të kemi radhazi dy Përfaqësues Special të Sekretarit të Përgjithshëm nga një vend i dashur dhe mik.

Më lejoni t’i kthehem pakëz zhvillimeve në muajt e fundit, periudhë kjo kur Kosova është përballur me disa nga sfidat më të vështira në vitet e fundit. Megjithatë, siç keni dëgjuar tashmë, këto sfida njëkohësisht i dhanë Kosovës mundësi që të dëshmojë transformimin e saj nga një importues i burimeve të sigurisë, në një eksportues të stabilitetit dhe nismave të paqes.

E nderuara Presidente,

Ju informoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës tani ka votuar amendamentimin e kushtetutës së vendit për të krijuar një Gjykatë të Posaçme që do të merret me dyshimet e ngritura në raportin e Këshillit të Europës.
 
Votimi në parlamentin tonë ishte i një shumice gati konsensuale.

Si zëvendëskryeministër dhe kryetar i partisë më të madhe në Kuvend, kam punuar që bashkë me kolegët e mi të bind deputetët si dhe publikun e gjerë për të krijuar këtë instrument të pazakontë ligjor në mënyrë që të mund të kemi gjykime të besueshme që janë të pavarura dhe që menaxhohen ndërkombëtarisht.

Tashmë kanë kaluar shtatëmbëdhjetë vjet që nga fillimi i luftës në Kosovë në vitin 1998. Ju mund të mbani mend se rezistenca jonë ishte një rast i vërtetë i Davidit që luftonte Goliatin.

Më lejoni të them z. President se nuk ka kosovar, përfshirë këtu edhe veten time, i cili do të qëndrojë duarkryq dhe të lejojë që Gjykata Speciale të barazojë veprimet gjenocidale të Sllobodan Millosheviqit, të shtetit të Serbisë, me veprimet e dëshpëruara eventuale të individëve të komunitetit të shtypur, të kryera gjatë ose pas luftës.

Lufta e Serbisë kundër Kosovës është bërë me përfshirjen e ushtrisë, policisë dhe njësiteve paraushtarake dhe është mbështetur edhe nga intelektualë serbë. Thjesht dhe qartë, kjo luftë e Serbisë ishte një fashizëm i pastër.

Ne në Kosovë nuk do të lejojmë që historia jonë të rishkruhet për të turbulluar dallimin në mes të shtypësit dhe viktimës (të shtypurit). Ne do të mbrojmë trashëgiminë e luftës sonë, lirinë e Kosovës dhe pavarësinë tonë.

Por, ne tani kemi dhënë pëlqimin për krijimin e një instrumenti që pritet të jetë shumë më i besueshëm se çdo gjykim tjetër i mbajtur në gjykatat e të gjitha vendeve të Ballkanit. Ne falënderojmë vendet anëtare individuale të cilat kanë mirëpritur këtë lëvizje nga Kosova, dhe unë shpresoj se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të përshëndesë sot përpjekjet e matura të Qeverisë së Kosovës për t\'u marrë me të gjitha krimet e bëra në vitet e luftës.

Po ashtu, ftoj vendet anëtare të Bashkimit Europian që pa vonesë dhe pa justifikime të reja të nënshkruajnë MSA-në me Kosovën në shtator. Çfarëdo vonese politike në nënshkrim të MSA-ë apo liberalizim të vizave do të ishte goditje e rëndë ndaj procesit të dialogut në Bruksel.

Ju mund të keni parë në mediet botërore që disa artistë kosovarë dhe ndërkombëtarë kanë organizuar një ngjarje të artit, të titulluar “Mendoj për Ju”, përmes së cilës  kujtohen gratë që janë përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konkluduar se 20.000 gra ishin përdhunuar nga forcat e shtetit të Serbisë gjatë luftës në Kosovë në 1998-1999. Pesëmbëdhjetë vite pas luftës, tragjedia e përdhunimit si një krim lufte në Kosovë nuk është adresuar nga mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare. Ka ardhur tashmë koha për drejtësi ndërkombëtare për Kosovën dhe për gratë e Kosovës që ishin viktima të krimit gjenocidal.

Prandaj, ju bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të mbështetur peticionin e nënshkruar nga më shumë se 150.000 qytetarë të Kosovës, të cilët kërkojnë drejtësi ndërkombëtare për gratë kosovare të dhunuara gjatë luftës. E drejta ndërkombëtare humanitare, CEDAW (Konventa për Eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave) dhe rezoluta të OKB-së mbi këtë çështje bëjnë një thirrje të qartë që dhuna seksuale në luftë të mos mbetet më e anashkaluar dhe e pandëshkuar. Kosova kërkon drejtësi.

Shkëlqesi,

Siç mund t’ju kujtohet, gjatë muajve të dimrit, kemi pasur një fluks të madh të kosovarëve të cilët u larguan nga Kosova për të kërkuar azil në vendet anëtare të BE-së.

Kam kënaqësinë të raportoj se ne morëm masa të forta që kanë ulur ndjeshëm numrin e kosovarëve që po emigronin. Ndërsa numri i kosovarëve që pretendojnë azil në Gjermani në muajin mars arriti në 11.147, ky numër në qershor ka rënë në 1373, ndërsa në korrik numri ishte në qindra dhe jo më në mijëra. Po në këtë mënyrë, derisa numri i azilkërkuesve kosovarë në Hungari arriti në 14,000 në mars, ky numër në qershor ishte më pak se 300.

Përpjekjet tona për të informuar qytetarët e Kosovës u ndihmuan edhe nga forcat e policisë evropiane të cilat filluan monitorimin e kufirit midis Serbisë dhe Hungarisë aty ku rrjedha e paligjshme e emigrantëve ishte më e shfrenuar.

Kosova mund të ketë vënë nën kontroll numrat e saj, mirëpo ne jemi të shqetësuar për fatin e dhjetëra mijëra sirianëve të cilët kanë lënë vendin e tyre në rrethana shumë tragjike. Kosova është një vend në të cilin pothuajse gjysma e popullsisë ka përvojën e të qenit refugjat, dhe na vjen keq për gjendjen e atyre që në kërkim të paqes tashmë po i mbushin rrugët e vendeve tona.

Një pjesë e suksesit tonë për të frenuar azilkërkuesit është bazuar edhe në disa lajme të mira që kemi pasur kohët e fundit në frontin ekonomik.

Një konsorcium francez fitoi tenderin për të ndërtuar një vendpushim për sportin dimëror me ski në shumë prej 400 milionë euro në Brezovicë, që në masë të madhe do ta ndihmojë komunitetin serb që jeton atje, duke sjellë investime të reja në tërë Kosovën.

Ne gjithashtu kemi rënë dakord për investime në sistemin tonë energjetik dhe, me ndihmën e Bankës Botërore dhe USAID-it, po e përmbyllim një transaksion prej më shumë se 1 miliard euro në prodhimin e energjisë që do të krijojë më shumë punësim dhe eksport nga Kosova. Këto projekte kanë filluar shumë vite më parë, mirëpo negociatat komplekse vazhduan deri më tash. Këto investime do të përbëjnë një shtyllë të fazës së re të zhvillimit tonë ekonomik.

Kosova është sot vendi me rritjen më të lartë mesatare ekonomike në shtatë vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe ne jemi vendi me borxhin më të ulët për kokë banori në të gjithë Evropën Juglindore. Ne përballemi me sfida të mëdha, por me përkushtim dhe guxim po punojmë që të shndërrojmë liritë tona politike në më shumë mundësi ekonomike për të gjithë kosovarët.

Zonja Presidente,

Më lejoni të theksoj një tjetër zhvillim kyç për të cilin ju keni dëgjuar sot në këtë sallë.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO. Ne fillimisht kërkuam nga Nju Jorku që të përcjellë kërkesën tonë për në UNESCO pasi kjo ishte një këshillë që na u bë nga Sekretariati i UNESCO-s.  Ne e kuptojmë se OKB-ja nuk dëshiron të ketë një rol në shkëmbimin e korrespondencës dhe ua ka lënë vendeve anëtare të UNESCO-s që të vendosin mbi meritën e anëtarësimit të Kosovës. Ne dëgjuam disa cështje që u ngritën këtu sot, dhe më lejoni që të përgjigjem në disa prej tyre:

A ka Kosova të drejtë të bëhet anëtare e UNESCO-s para se të bëhet anëtare e OKB-së?

Përgjigjja është një po absolute.  Kosova ka të drejtë të bëhet anëtare e UNESCO-s përpara se të bëhet një shtet anëtar i OKB-së, me kusht që ajo të sigurojë një shumicë prej dy të tretave të votave në konferencën e përgjithshme, një votim ky që zhvillohet me rekomandimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s. Ne do ta kuptojmë rezultatin përfundimtar të votimit në nëntor të këtij viti. Shumë vende, duke filluar nga Austria deri te Vietnami, janë bërë anëtare të UNESCO-s shumë kohë para se të anëtarësoheshin në OKB.

Një pyetje e dytë është: a thua anëtarësimi i Kosovës në UNESCO-s do të rrezikojë dialogun që po vazhdon në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre?

Kosova tashmë është anëtare e dy agjencive të specializuara të OKB-së, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. UNESCO për këtë arsye nuk do të jetë agjencia ose organizata e parë ndërkombëtare në të cilën anëtarësohet Kosova që nga fillimi i dialogut teknik me Serbinë në mars të vitit 2011. Pra, pavarësisht nga ajo që po e thotë Serbia, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare vetëm se do të forcojë stabilitetin dhe do të fuqizojë dialogun që kërkon normalizim. Izolimi i Kosovës, me siguri nuk do të sjellë normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.

Dhe së treti, më duhet të përgjigjem në pyetjen nëse objektet e trashëgimisë nën mbrojtjen e UNESCO-s janë të sigurta në Kosovë?

Unë mund të konfirmoj sot me përgjegjësi të plotë se ato janë të sigurta, ose më të sigurta se çdoherë gjatë njëmijë viteve të fundit. Ato janë të mbrojtura nga një kornizë ligjore shumë e konsoliduar dhe bashkëkohore, e aprovuar nga i dërguari i OKB-së Martti Ahtisaari, e mbështetur gjithashtu nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së si dhe e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. 95% e objekteve të Kishës Ortodokse Serbe mbahen të sigurta nga vetë policia jonë. Forcat e NATO-s na kanë dhënë besimin e tyre dhe janë të kënaqur me sigurinë rreth këtyre objekteve. Mijëra turistë që nga Japonia deri në Ruandë po i vizitojnë sot këto objekte dhe ato gjenerojnë të ardhura të mira për popullin e Kosovës. Unë ju ftoj juve anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të vizitoni Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur për t’u bindur vetë për sigurinë dhe situatën pozitive në vend.  Qeveria jonë gjithashtu është angazhuar në dialog ndërfetar dhe kjo u vu re në disa raporte nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, si një kontribut pozitiv për pajtim.

Të nderuar anëtarë të Këshillit,

Unë po i ndjek me vëmendje dhe gjerësisht çështjet që kanë të bëjnë me kërkesën tonë për anëtarësim në UNESCO, sepse seriozisht  jemi të shqetësuar me metodat që po aplikon Serbia në përpjekje që të na mohojë anëtarësinë dhe të na mbajë të izoluar nga mundësitë në arsim, shkencë dhe kulturë.

Ambasadori i Serbisë në UNESCO, z. Darko Tanaskoviq, kohët e fundit, në një intervistë për një radio ruse, bëri thirrje për një \"front më të gjerë të krishterë\" kundër anëtarësimit të Kosovës!

Kjo gjuhë, krejtësisht e papërshtatshme dhe e papranueshme bën thirrje për përplasje mes besimeve dhe përmban tone të qarta raciste. Lufta në Kosovë nuk ishte një konflikt fetar. Ajo ishte një gjenocid i kryer nga shteti i Serbisë, që shkatërroi jetët e njerëzve në tri vende dhe që shkaktoi tri konflikte të ndryshme të armatosura.

Ne presim se do të kemi një përballje të argumenteve me Serbinë mbi meritat e anëtarësimit tonë, por refuzojmë që të përfshihemi në një diskurs të ulët dhe të papranueshëm që promovon grindje mes feve dhe rritë mungesën e tolerancës fetare. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të mbështesin kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO. Ju mund ta bëni këtë edhe nëse ende nuk e keni njohur Kosovën.

Ne gjithashtu do të kërkojmë anëtarësim në INTERPOL dhe në Këshillin e Evropës si dy mekanizma jetikë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut dhe jetën e njeriut.

Zonja Presidente,

Unë sot dëgjova disa fjalë mjaft të ashpra nga z. Daçiq. Unë e kuptoj se ai është në një fushatë zgjedhore dhe mund të ketë nevojë të përdorë një gjuhë nacionaliste, por dialogu me Serbinë ka vazhduar dhe po vazhdon të sigurojë normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Javën e ardhshme ne do të takohemi përsëri në Bruksel dhe unë shpresoj se ne do të biem dakord për të mbyllur pakon e marrëveshjeve të rëndësishme.

Marrëveshja e parë për telekomin do të sigurojë që Kosova të marrë kodin e pavarur telefonik ndërkombëtar. Kjo do t’i sjellë vendit miliona euro, sepse deri tani kemi përdorur kodet e Monakos, Serbisë dhe të Sllovenisë.

Marrëveshja e dytë për energjinë ka për qëllim për t’i dhënë  fund një herë e përgjithmonë sistemit paralel të shpërndarjes së energjisë në veri të Kosovës, sistem ky i vendosur paligjshëm nga Serbia. Ligji i Kosovës do të mbizotërojë dhe do të jetësojë krijimin e një tregu konkurrues të shpërndarjes në të gjithë territorin e Kosovës dhe tatimet përfundimisht do t’u paguhen autoriteteve financiare të Kosovës.

Marrëveshja e tretë do të sigurojë që barrikada e vendosur në veri, e ashtuquajtur \"Parku i Paqes\", nuk do të pengojë më lirinë e lëvizjes.

Marrëveshja e katërt pritet të krijojë një shoqatë të paraparë me Planin e Ahtisarit: Asociacionin e komunave serbe.

Unë ju siguroj, zoti President, se ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Ne kemi decentralizuar shumë nivelin komunal dhe ky nivel do të mbetet baza e demokracisë sonë qytetare.

Ne shpresojmë të nënshkruajmë këto marrëveshje javën e ardhshme në mënyrë që udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor të mund të takohen në Vjenë, në samitin e ardhshëm të vendeve tona në kontekstin e “Procesit të Berlinit”.

Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen dhe do të diskutojnë format praktike të bashkëpunimit, qoftë përmes investimeve të përbashkëta infrastrukturore,  shkëmbimeve të të rinjve apo edhe demarkacionit të kufijve tanë.

Kosova do të luajë një rol në disa procese të rëndësishme dhe do të promovojë me Serbinë një autostradë të re që lidh Serbinë me bregdetin shqiptar dhe malazez nëpërmjet autostradës së Kosovës. Projekti i ashtuquajtur Prishtinë-Nish do të lidhë pjesë të rëndësishme të Ballkanit.

Ne gjithashtu do të nënshkruajmë demarkacionin tonë të kufirit me Malin e Zi.  Mali i Zi pritet që së shpejti të bëhet anëtar i NATO-s. Me këtë akt, Kosova do të ketë përfunduar demarkacionin e ¾ të kufijve të saj, që është më e larta në ish-Jugosllavi. Asnjë republikë tjetër nuk ka arritur të mbyllë këto sfida të dhimbshme me fqinjët ashtu siç kemi bërë ne.

Një lëvizje më e mirë e kosovarëve u ndihmua pas vendimit të Federatës Ruse që të lejojë sportistët e Kosovës që të përdorin pasaportat e Kosovës gjatë udhëtimit për në Rusi, dhe e njëjta u mundësua nga Brazili, i cili së fundi lejoi të gjithë kosovarët që të përdorin pasaportat e tyre kur udhëtojnë në këtë vend. Pasi Kosova kohë më parë u bë një shtet olimpik, ky ishte një veprim shumë i mirëpritur në përgatitje për Lojërat Olimpike në Rio. Ne atje shpresojmë për medaljen e parë të artë nga kampionia jonë botërore në xhudo, sportistja kosovare Majlinda Kelmendi.

E nderuara Presidente,

Në fund, më lejoni që t’u bëj thirrje juve anëtarë të nderuar që të njihni progresin e arritur. A ka ende probleme në Kosovë? Po ka, pasi ka në secilën prej ish-republikave jugosllave. Por a është Kosova sot e sigurt? Po, sipas statistikave të Interpolit, Kosova është më e sigurt se 80% e kryeqyteteve evropiane. Ne jemi duke luftuar ekstremizmin, jemi duke bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar dhe po përpiqeni të ndërtojmë një demokraci të begatshme.

E di, duhet të bëjmë më shumë, por si dikush që e ka parë luftën me sytë e vet, edhe ju duhet të jeni krenarë për suksesin e arritur në Kosovë.

Prandaj, mandati i ardhshëm i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm duhet të shqyrtohet me diskutime serioze se si mund të transferohen burimet që deri me tani shpenzoheshin në Kosovë te njerëzit në Lindjen e Mesme dhe gjetkë, të cilët sot po ballafaqohen me vështirësi të mëdha dhe kërcënime ekzistenciale.

Fjalimi i plotë i Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, z Behgjet Pacolli, në konferencën “NATO dhe Ballkani PerëndimorFjalimi i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e dhënies së çmimit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i TiranësPrioritetet e reja të Politikës së Jashtme të KosovësZëvendëskryeministri për "EurActiv" Thaçi: Kosova gjithnjë më afër të ardhmes evropiane