Na ndiqni në:

Fjalimi i SH.T. Hashim Thaçi Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 6 shkurt 2015

Më lejoni që fillimisht të shpreh kënaqësinë time për këtë mundësi që t’ju drejtohem në takimin e parë të këtij për t’ju informuar rreth progresit të arritur në Kosovë në muajt e fundit si dhe për angazhimet e qeverisë së re në Kosovë.

I nderuar Kryesues i Këshillit të Sigurimit,
I nderuar Përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara,
Të nderuar Ambasadorë të Shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit,


Më lejoni që fillimisht të shpreh kënaqësinë time për këtë mundësi që t’ju drejtohem në takimin e parë të këtij për t’ju informuar rreth progresit të arritur në Kosovë në muajt e fundit si dhe për angazhimet e qeverisë së re në Kosovë.

Muaji shkurt sjell përvjetorin e 7-të të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, aktit më të rëndësishëm në angazhimin për liri dhe demokraci të popullit të Kosovës.

E them me krenari se përvjetori i 7-të e gjen Kosovën si shtet të konsoliduar, brenda dhe jashtë.
Procesi i njohjes së Kosovës ka treguar se shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një faktor i domosdoshëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon.

Këtë e dëshmon fakti se Kosovën e kanë njohur të gjitha vendet fqinje (me përjashtim të Serbisë), shumica dërrmuese e shteteve nga rajoni si dhe nga komuniteti Euro-Atlantik.

Republikën e Kosovës tanimë e kanë njohur 108 shtete prej të gjitha kontinenteve. Ju bëj thirrje vendeve të tjera anëtare të OKB-së, duke përfshirë anëtarët e këtij Këshilli që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të marrin ketë hap dhe të bashkohen në përkrahjen e Kosovës si anëtare e barabartë dhe e plotë e bashkësisë ndërkombëtare.

Se fundmi, Kosova u bë anëtare e Organizatës se Frankofonisë, ndërsa në muajin dhjetor Kosova u bë shtet olimpik pasi që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi t’i japë njohje të plotë Kosovës duke i dhënë fund izolimit ndërkombëtar të sportistëve kosovarë që tani do të kenë mundësinë të garojnë në lojërat olimpike të 2016 në Rio de Zhënerio.

Kosova ka arritur rezultate konkrete edhe në synimet e saj për të konsoliduar bashkëpunimin rajonal.

Shteti i ri është bërë anëtar i të gjitha organizatave rajonale të rëndësishme.
Në përputhje me politikën tonë të forcimit të bashkëpunimit rajonal unë vizitova qysh në fillim të mandatit tim Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë për të promovuar marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe për të siguruar angazhimin tonë të përbashkët për të ardhmen evropiane të rajonit.

Në fund të muajit mars do të jem nikoqir i 6 ministrave të jashtëm të Ballkanit, përfshi të Serbisë, në një samit në Kosovë ku do të flasim për projekte të përbashkëta investive.
Po vazhdojmë gjithashtu implementimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe tani është duke u përmbyllur me sukses procesi i integrimit të katër komunave në veri të Kosovës në institucionet e Kosovës.

Përfaqësuesit e qytetarëve që jetojnë ne veri të Kosovës tash janë pjesë e qeverisë së re të Kosovës ku mbajnë poste ministrore.

Dhe, edhe pse dialogu në nivel politik ka pritur formimin e qeverive të reja një herë në Serbi e pastaj në Kosovë, në nivel teknik dialogu ka vazhduar.

Në këtë kohë është arritur progres i kënaqshëm në
-    mbylljen e strukturave paralele të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në pjesën veriore të vendit tonë dhe është bërë integrimi i plotë i personelit serb në Policinë e Kosovës;
-    në zbatimin e Marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit;
-    në çështjet e energjisë dhe telekomit;
-    si dhe në mbledhjen e të hyrave doganore në pikë-kalimet kufitare në pjesën veriore të vendit.

Këtu duhet ta shprehim shqetësim tonë me tendencat e palës serbe për të shmangur ose vonuar zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit që tregon se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga synimet dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës.

Është shumë shqetësues raporti i botuar javën e kaluar nga organizata e famshme serbe, Fondi për të Drejtën Humanitare, që akuzon shefin e tashëm të Ushtrisë Serbe për krime mizore në Kosovë gjatë vitit 1999 si dhe për fshehje të trupave të civilëve kosovarë të vrarë nëpër varreza në Serbi.

Sipas këtij raporti, Serbia nuk ka nisur as një të vetmin proces kundër disa qindra oficerëve dhe policëve të implikuar në këtë rast.

Ftoj lidershipin serb të gjejnë forcë dhe të ballafaqohen me të kaluarën dhe ftoj Këshillin e Sigurimit të kërkojë nga Serbia ta marrë këtë raport me seriozitet të plotë.

Gjithashtu, në fillim të këtij viti kemi vërejtur tendenca të shtimit të strukturave paralele komunale nga ana e Serbisë sikur që janë emërimi i kryetarit paralel komunal në komunën e Shtërpcës apo krijimi i postave paralele në komunat e Dragashit dhe Prizrenit.

Me shqetësim kemi vërejtur pengesat që EULEX dhe policia vendore po hasin në vendosjen e sundimit të ligjit dhe normalitetit në katër komunat veriore të shkaktuara nga kryetarët ilegalë të komunave, grupet paramilitare dhe kriminale, të cilat e kanë penguar progresin e komunitetit serb në Kosovë gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit.

Për të gjitha këto e kemi vënë në dijeni Bashkimin Evropian dhe kemi kërkuar që Serbia të respektojë Marrëveshjen e Brukselit. Ftoj që edhe Këshilli i Sigurimit sonte të kërkon nga Serbia plotësimin e marrëveshjeve të arritura.

Zonja e zotërinj

Shteti i Kosovës ka dëshmuar pjekuri dhe konsolidim edhe në çështjet e brendshme. Shembull për këtë është maturia politike që treguan të gjithë aktorët politikë në muajt kur kërkohej formimi i qeverisë së re, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në Kosovë.Gjatë tërë kohës, partitë politike kanë treguar respekt për ligjet dhe institucionet e pavarura të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, institucionet e pavarura, si Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese, kanë treguar integritet dhe profesionalizëm.

E tërë kjo i hapi rrugë marrëveshjes politike për koalicionin e ri qeverisës që rezultoi me konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe pastaj me emërimin e Qeverisë së re.
Qeveria e re është gjithëpërfshirëse pasi në të janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet, përfshirë edhe qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në pjesën veriore të vendit.
 
Këtë javë Kryeministri i Kosovës largoi nga detyra një anëtar të qeverisë nga komuniteti serb. Shkarkimi nuk është bërë për shkak të përkatësisë së tij por për shkak se nuk ka treguar profesionalizëm çfarë pritet prej një përfaqësuesi të qeverisë.
Kjo u shfrytëzua si pretekst nga Serbia që të sulmojë politikisht Kosovën.

Në thelb të sulmeve të Serbisë kundër Kosovës ishte kompleksi xeheror Trepça dhe pretendimet e Serbisë ndaj këtij gjiganti industrial. Prandaj, duhet të theksohet edhe një herë se Trepça është pasuri e Kosovës dhe përgjegjësi e Kosovës. Vonesa në gjetjen e zgjidhjes për Kosovën është bërë sepse administrata ndërkombëtare në Kosovë në kaluarën nuk ishte e gatshme të përballej me presionin politik që sjell kapitulli i Trepçës.

Institucionet e Kosovës kanë marrë vendim që për Trepçën të kërkohet zgjidhje në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi si dhe në përputhje me parimet e privatizimit të Ndërmarrjeve Shoqërore në Kosovë që pat filluar me Administratën e Kombeve të Bashkuara e me pëlqimin e Zyrës Ligjore të Kombeve të  Bashkuara.
 
Dëshmi kryesore e suksesit të brendshëm të Kosovës është përfundimi me sukses i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Është ky pranim i përparimit substancial që Kosova ka bërë në rrafshin e ekonomisë, demokracisë dhe të sundimit të ligjit.

I nderuar z. Kryesues,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Në vazhdim dua t’ju informoj për prioritetet dhe fokusin kryesor të Qeverisë së re  të Republikës së Kosovës.


Me partnerët e rinj qeverisës kemi punuar një program qeveritar ambicioz e realist për katër vitet e ardhshme dhe jemi përkushtuar për një agjendë dinamike legjislative dhe ekzekutive që duhet ta dërgojë vendin drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Jemi përkushtuar që zhvillimi ekonomik të jetë kryefjala e këtyre katër viteve, duke nisur një sërë hapash konkret për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe për vazhduar me trendin e rritjes ekonomike.

Në rrafshin ndërkombëtar dua të ritheksoj se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbetet fuqishëm e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë dhe për vazhdimin e dialogut që synohet të finalizohet më njohjen e ndërsjellë.

Vetëm ky hap do të mundësonte ndërtimin e paqes së qëndrueshme në mes të dyja vendeve dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike e të mira fqinjësore, në frymën europiane.

Ky përkushtim do të konfirmohet pas 3 ditësh, pasi më 9 shkurt do të mbahet takimi i parë në mandatin e ri në nivel kryeministrash të dy vendeve tona, nën patronatin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, zonjës Mogherini.

Gjithashtu, Kosova, si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe zonës Euro-Atlantike, do të vazhdojë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian si prioritet shtetëror e në funksion të zhvillimit dhe transformimit shoqëror, ekonomik dhe politik të Kosovës.

Gjatë këtij mandati, Qeveria do të jetë e përkushtuar që të arrijë nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocimin në gjysmën e parë të vitit 2015 dhe të fillojë zbatimin e saj. Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim si marrëdhënie kontraktuale mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës do të shërbejë për evropianizimin e politikave shtetërore dhe modernizimin e vendit tonë.

Kapitull i përfunduar do të jetë edhe izolimi i padrejtë dhe shumëvjeçar i qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të vetmit në Europë që nuk kanë të drejtë lëvizjeje të lirë në Zonën Schengen.
Në këtë aspekt, prioritet kyç mbetet zbatimi i Planit të Veprimit që adreson të gjitha sfidat e riatdhesimit, re-integrimit, sigurisë së dokumenteve, menaxhimit të kufirit dhe migrimit dhe sigurimit të përgjithshëm të rendit publik.

Shumë kosovarë sot po ikin nga Kosova për shkak të pamundësisë që të lëvizin legalisht në shtetet e BE-së. Kosova ka qenë tepër gjatë e izoluar dhe të rinjtë tanë me çdo kusht dëshirojnë ta kenë lirinë e lëvizjes në kontinentin tonë.

Të nderuar Anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Republika e Kosovës, në vazhdimësi është treguar një aktor i përgjegjshëm karshi obligimeve të saja ndërkombëtare dhe jo vetëm.

Në ditët e para të formimit të Qeverisë së re, ne jemi angazhuar për ta finalizuar projekt-ligjin që ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit.

Vendi ynë, megjithëse është një shtet i vogël, është treguar një shtet bashkëpunëtor dhe aleat në
luftën globale kundër terrorizimit.

Jemi rreshtuar natyrshëm pranë koalicionit global të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër të ashtuquajturit ‘’ISIS’’ dhe do të jemi aktiv deri në shfarosjen e këtij fenomeni që ka plagosur jo vetëm Lindjen e Mesme por ka prekur edhe kryeqendrat evropiane.

Një botë e pasigurt, një botë e dhunës të cilën po e proklamojnë terroristët, nuk është një botë të cilën ne duhet ta pranojmë, prandaj Republika e Kosovës është në vijën e parë të frontit për të çrrënjosur këtë fenomen, dhe më besoni, ne e dimë shumë mirë si vend çfarë do të thotë të jetosh nën terror, nën pushtetin e dhunës sistematike.

Kosova gjatë këtij viti gjithashtu do të aplikojë për të qenë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Kosovarët sot janë të vetmit qytetarë në Evropë që nuk mund të kërkojnë mbrojtje nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe për mua është një prioritet kyç për t’i dhënë fund këtij përjashtimi.

Kosova synon të jetë një vend i cili kontribuon në sigurinë kolektive dhe në vazhdimësi jemi përkushtuar për të fuqizuar arkitekturën e paqes dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Në këtë drejtim, kemi ndërmarrë rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë në Kosovës dhe tani po bëjmë përgatitjet e koordinuara për tranzicion nga Forcat e Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Falënderoj ekipin e NATO-s për Ndërlidhje dhe Këshillim që kanë qenë afër nesh gjatë këtij procesi.

Dua t’ju siguroj që Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë forcë profesionale, multi-etnike, e udhëhequr sipas parimeve të kontrollit demokratik dhe civil, e integruar gradualisht në strukturat euro-atlantike dhe e gatshme të kontribuojë në sigurinë dhe paqen rajonale dhe globale.

Dua t’ju informoj që Kosova synon hapjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit me NATO-n, duke lëvizur drejt Partneritetit për Paqe si instrumenti kryesor për anëtarësim të plotë, përmes një qasje graduale dhe të koordinuar më partneret tanë Euro-Atlantik.
 
I nderuar z. President,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit;


Më lejoni të ritheksoj se në këto 7 vite, Republika e Kosovës, fale vullnetit dhe përkushtimit të popullit, politikës dhe komunitetit ndërkombëtar, ka ndërtuar shoqëri multi-etnike dhe institucione demokratike, stabile e të qëndrueshme dhe si rezultat i kësaj, Kosova është bërë faktor i paqes dhe eksportues i stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Më lejoni t’ju përkujtoj që Kosova është një nga rastet më të suksesshme të shtet-ndërtimit në histori të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta 1244 është përmbushur qe një kohë të gjatë dhe ka ardhur koha për një kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës më Kombet e Bashkuara.

Kosova është mirënjohëse për rolin dhe kontributin e Kombeve të Bashkuara gjatë procesit të shtet-ndërtimit të vendit tonë, megjithatë duke marrë parasysh rrjedhën e zhvillimeve në vend, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, roli i misionit të UNMIK-ut është minimizuar dukshëm dhe ka mbetur vetëm me një rol raportues.

Duke u nisur nga kjo dhe duke vlerësuar arritjet e Kosovës në fushën e sigurisë dhe të stabilitetit ekonomik, social dhe politik, si dhe duke theksuar marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, i nderuar zoti President, është koha për Këshillin e Sigurimit të konsiderojë mundësinë për një UNMIK të transformuar që duhet ta ndihmojë Kosovën për t’u anëtarësuar në Agjencitë e Specializuara dhe kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të ndihmojë Republikën e Kosovës në realizimin e aspiratave për t’ju bashkuar Kombeve të Bashkuara në të ardhmen.

Ju falënderoj!

Fjala e SH.T. Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të BashkuaraZëvendëskryeministri për "EurActiv" Thaçi: Kosova gjithnjë më afër të ardhmes evropianeFjalimi i plotë i Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, z Behgjet Pacolli, në konferencën “NATO dhe Ballkani PerëndimorPrioritetet e reja të Politikës së Jashtme të Kosovës